Të majtë e të djathtë reagojnë të tronditur nga vdekja e Gert Bogdanit!
Dritare.net
Të djathtë e të majtë, kanë reaguar të tronditur nga ndarja e papritur nga jeta e Gert Bogdanit.
Edi Rama:Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani!
Lulzim Basha: Jam i tronditur nga lajmi për largimin e papritur e të parakohshëm nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit tim Gerti Bogdani. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes në këto orë të vështira. Mendimet dhe lutjet e mija janë me ta në këtë dhimbje të madhe.
Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit.
Në këtë ditë zie, kur familja ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, demokratët kujtojnë me respektin më të madh modelin e intelektualit konsensual dhe njërin nga përfaqësuesit e tyre më të përkushtuar, dhe unë një mik të paharrueshëm. U prehtë në paqe!
Elisa Spiropali: Dhimbje e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, babait, bashkëshortit, birit, Gerti Bogdani. Na trondite me ikjen tënde, Gert! Ike shumë i ri, vetëm 44 vjeç! Ngushëllime nga zemra familjes! U prehsh në paqe! Të ndrittë shpirti!
Pandeli Majko: Gerti Bogdani është ndarë nga jeta! Kjo ndarje pikëllon jo vetëm familjen e tij por edhe ata që e kanë njohur! Me kulturë dhe i matur, i zgjedhur edhe deputet i PD në moshë të re, ai shpesh sfidonte moshën, duke e bërë një njeri të veçantë edhe për “kundërshtarët” e tij politikë! Ngushëllime familjes për largimin e tij të parakohshëm!
Ervin Salianji: E pabesueshme, kjo ikje pa kohë Gert!
Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta i mikut dhe ish-kolegut Gerti Bogdani. Një nga djemtë më të mirë në Partinë Demokratike, një nga të rinjtë më energjik dhe kontributor i palodhur që nga Forumi Rinor dhe deri në Parlamentin e Shqipërisë! Ngushëllime të sinqerta Edlirës, familjes dhe miqve! Prehu në paqe Gerti!