Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK nën presionin politik, Qori: Do thërrasim protesta nëse tentojnë ta kapin

SPAK nën presionin politik, Qori: Do thërrasim protesta nëse

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me garën për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke theksuar se ky është një proces i rëndësishëm për drejtësinë dhe besimin publik në institucione.

I ftuar në emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut në Dritare TV, Qori vlerësoi se përzgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK është “një çështje thelbësore për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ndërsa kërkoi që procesi të mbetet i pavarur nga ndikimet politike.

“Ne do kërkojmë gjithmonë përmirësimin dhe fuqizimin e pavarësisë së SPAK-ut, luftimin e korrupsionit, të krimit të organizuar dhe të kapjes së shtetit nga oligarkia dhe elita politike,” – u shpreh Qori.
Lidhur me katër kandidatët që kanë paraqitur interes për drejtimin e SPAK – Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho – Qori tha se nuk i njeh personalisht, por shpreson që institucioni të ecë përpara dhe të mos bjerë në nivel më të ulët.

“Nuk i njoh kandidatët, por ajo që duhet të shpresojmë është që SPAK të mos shkojë më keq. Të kërkojmë më shumë dhe më mirë,” – theksoi ai.
Në vijim të bisedës, Qori analizoi edhe fenomenin shoqëror të përbërjes së SPAK, duke theksuar se shumica e prokurorëve nuk janë nga Tirana, çka sipas tij tregon për një mobilitet shoqëror dhe profesional që lidhet me studimet në drejtësi.

“Në këto 30 vite, jurisprudenca ka qenë një nga ‘ashensorët’ më të rëndësishëm të mobilitetit social në Shqipëri. Studimet për drejtësi dhe karriera në sistemin gjyqësor kanë qenë një mënyrë për të kaluar nga periferia drejt qendrës,” – tha Qori.
I pyetur për qëndrimin ndaj sulmeve politike që po bëhen ndaj SPAK, Qori tha se Lëvizja Bashkë do të kundërshtojë çdo përpjekje për ta dobësuar apo politizuar institucionin.

“Nëse qeveria apo opozita tentojnë ta shkrijnë apo ta kthejnë SPAK-un në një instrument partie, ne do të jemi kundër. Do t’i thërrasim njerëzit në protestë, sepse drejtësia duhet të përmirësohet, jo të kthehet në kohën kur gjykatësin e emëronte partia,” – deklaroi ai.
Qori shtoi se, ndonëse SPAK ka ende mangësi, përfshirë hetimet e ngadalta për financimet e paligjshme të partive politike, zgjidhja nuk është ta sulmosh apo ta dobësosh, por ta përmirësosh./L.F-dritare.net