
Situatë e rëndë në Borsh! Flakët i afrohen plazhit, evakuohen banorët dhe pushuesit
Dritare.net
Situata me zjarret në jug të vendit është përkeqësuar ndjeshëm, veçanërisht në zonën turistike të Borshit, ku flakët i janë afruar rrezikshëm plazhit. Rruga kryesore Himarë-Sarandë, pranë Borshit, është bërë e pakalueshme për shkak të rrezikut nga zjarri që ka përfshirë një pjesë të fshatit.
Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, autoritetet janë detyruar të evakuojnë banorët që jetojnë në zonat e rrezikuara, si dhe pushuesit e akomoduar në hotelet e Borshit. Zjarret kanë shkaktuar një situatë të rënduar edhe në fshatrat Sasaj dhe Piqeras, ku deri ditën e djeshme raportohej për përhapje të rrezikshme të flakëve.
Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri me dije se është rinisur operacioni nga ajri për përballimin e zjarreve në Borsh, Piqeras dhe Sasaj. Dy helikopterë të Forcës Ajrore janë angazhuar për të neutralizuar vatrat aktive që po rrezikojnë banesa, biznese dhe hapësira të gjelbra në këto zona turistike. Sipas ministrit, era e fortë ka ndikuar ndjeshëm në përhapjen e flakëve që në orët e para të mëngjesit, duke e bërë ndërhyrjen më të vështirë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonat e prekura dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës deri në përmirësimin e situatës./K.C/dritare.net

















