
Sëmundjet reumatizmale: Çfarë janë dhe cilat janë shenjat e para që nuk duhen injoruar
Dritare.net
Sëmundjet reumatizmale përbëjnë një grup të gjerë patologjish që prekin sistemin muskuloskeletik. Sipas doktoreshës Ergeta Ktona këto sëmundje po prekin gjithnjë e më shumë moshat e reja, kryesisht për shkak të stilit të jetesës dhe kequshqyerjes.
Mjekja i klasifikon sëmundjet reumatizmale në tre kategori kryesore. Grupi i parë përfshin sëmundjet me karakter mekanik, si osteoartrozat, ku dëmtimi vjen nga arsye mekanike. Grupi i dytë janë sëmundjet autoimune, ku vetë sistemi imunitar sulmon trupin, siç ndodh me artritin reumatoid dhe lupusin. Së fundi, grupi i tretë janë sëmundjet metabolike, të lidhura me mënyrën e të ushqyerit dhe sëmundje të tjera shoqëruese, ku shembulli më tipik është artriti gutoz.
Por cila është shenja kryesore që duhet t'ju alarmojë? Doktoresha thekson se simptoma më e përbashkët dhe arsyeja kryesore që i drejton pacientët te reumatologu është dhimbja. Dhimbjet artikulare (të kyçeve), dhimbjet muskulare, e nganjëherë edhe disa shenja specifike në lëkurë, janë kambana alarmi që tregojnë se mund të keni nevojë për një vizitë te specialisti. Këto dhimbje prishin ndjeshëm cilësinë e jetës dhe nuk duhen neglizhuar.

















