
Zemra jep shenja shumë vite përpara. 99% e rasteve mund të parandaloheshin
Dritare.net
Një studim i ri tregon se sëmundjet e zemrës dhe të trurit nuk shfaqen papritur, por paralajmërojnë shumë vite më parë.
Shkencëtarët zbuluan se mbi 99% e njerëzve që pësuan infarkt, goditje në tru ose dështim të zemrës kishin të paktën një problem shëndetësor shumë kohë përpara. Shkaqet kryesore ishin tensioni i lartë i gjakut, kolesteroli, sheqeri i lartë në gjak dhe duhanpirja.
Studimi analizoi mbi 9 milionë persona në Korenë e Jugut dhe rreth 7 mijë në SHBA, të cilët u ndoqën për gati 20 vjet. Gjatë kësaj periudhe, ata iu nënshtruan kontrolleve të rregullta mjekësore, duke i dhënë mundësi studiuesve të gjurmonin nivelin e tensionit, kolesterolit, glukozës dhe zakonet e duhanpirjes vite përpara episodit të parë kardiovaskular.
Rezultatet treguan se:
-Mbi 99% e të prekurve kishin të paktën një faktor rreziku përpara se të sëmureshin.
-93% kishin dy ose më shumë faktorë rreziku.
-Hipertensioni ishte më i zakonshmi, duke prekur mbi 95% të pacientëve në Korenë e Jugut dhe mbi 93% në SHBA.
-Edhe te gratë nën 60 vjeç, që zakonisht konsiderohen me rrezik më të ulët, mbi 95% kishin një faktor rreziku përpara se të përjetonin goditje në tru ose dështim të zemrës.
Këto gjetje hedhin poshtë bindjen e përhapur se sëmundjet e zemrës shfaqen pa paralajmërim. Përkundrazi, ato paralajmërojnë për vite të tëra. Për këtë arsye, mjekët theksojnë rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe kujdesit ndaj faktorëve si tensioni, kolesteroli, sheqeri në gjak dhe zakonet e jetesës, pasi janë elementë që mund të mbahen nën kontroll dhe të parandalojnë sëmundje të rënda./K.C/dritare.net

















