Dëshmitë/ Si i shiti Berisha katër hidrocentralet tona! Flasin inxhinierët
Dritare.net

Sot, kryeministri Edi Rama i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë shitjen e katër hidrocentraleve kryesore në Shqipëri, Bistrica 1 dhe 2, Ulzës dhe Shkopetit. Në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, specialistët kanë folur kohë më parë, por zëri i tyre nuk është dëgjuar. Ja çfarë kanë thënë!
Emin Musliu, i njohur si “njeriu i dritës”, që ka punuar në ndërtimin e hidrocentraleve që nga viti 1949, foli me trishtim dhe krenari:
“Shitja e katër hidrocentraleve është fatkeqësi për popullin shqiptar. Këtu kemi derdhur djersë dhe sakrificë për të ndriçuar Shqipërinë. Pas ’90-ës gjithçka u shkatërrua, institucionet u shkatërruan dhe këto vepra që na bënë krenarë u dhuruan për privatizim. Është poshtërsia më e madhe që i ndodhi këtij populli.”, tha inxhinier Musliu
Ervin Gjadri, pasardhës i inxhinierit të njohur Gjovalin Gjadri tregoi se këto hidrocentrale nuk ishin thjesht objekte të vjetruara, por pjesë e asaj që inxhinierët e quajnë 'paketa e sigurisë së furnizimit'. Skandali merr përmasa edhe më të mëdha kur zbardhet fakti se hidrocentralet e Bistricës sapo ishin modernizuar dhe rehabilituar tërësisht përmes një kredie prej 22 milionë eurosh nga shteti gjerman (KfW) dhe kompania Siemens. Inxhinier Gjadri ngrë pikëpyetje serioze nëse kjo kredi me afat maturimi deri në vitin 2044 po paguhet ende nga taksapaguesit shqiptarë, ndërkohë që fitimet nga prodhimi i energjisë shkojnë në llogaritë e kompanisë private.
“Hidrocentralet nuk ishin thjesht objekte të vjetruara, por pjesë e 'paketës së sigurisë së furnizimit'. Skandali bëhet edhe më i madh kur dihet se ato sapo ishin modernizuar përmes një kredie prej 22 milionë eurosh nga shteti gjerman (KfW) dhe kompania Siemens. Afati i maturimit të kësaj kredie shkon deri në vitin 2044, ndërkohë që fitimet nga prodhimi i energjisë shkojnë në llogaritë e kompanisë private.”
Kreu i Komitetit të Digave, Arjan Jovani, tha në Shqip se pas viteve '90, shteti shkatërroi sistematikisht institutet kërkimore të themeluara që në vitin 1961, si Instituti i Hidrocentraleve, ai i Bonifikimit dhe ai i Hekurudhave. Ky shkatërrim i kujtesës institucionale dhe ekspertizës vendase ka sjellë një situatë absurde ku shteti sot nuk është në gjendje të bëjë as vlerësimin financiar të digave të veta.
"Ky është një krim nga ana morale, pasi ndërtimi i tyre është bërë me punë publike. Tani ato i menaxhon një kompani private. Nuk u vlerësuan as sa iu bënte vlera reale, pasi u shitën për 5 lekë. Ne duhet të kemi një vlerësim real të këtyre aseteve. Ne nuk kemi një çmim real sa vlen një digë. Ne kemi rreth 300 diga të ujitjes që nuk dimë sa na vlejnë nga ana financiare.
Këto janë digat e para të ndërtuara. Në ’52-shin Ulëza, në ’63-shin Shkopeti dhe Bistrica. Nga të gjithë që e kanë ndërtuar jeton vetëm Emin Musliu. Bistrica po shfrytëzohet edhe për turizmin, pasi ajo mban ujin e Syrit të Kaltër, sipas rregullave të kontratës burimet natyrore i takojnë shtetit. Vetë Kurumi paguan për ujin që përdor. Mënyra dhe vlera e shitjes së atyre 4 hidrocentraleve ishte një skandal.", tha Arjan Jovani.
Inxhinieri Bardhyl Reso theksoi:
“Gjatë vitit të fundit të krizës globale të energjisë, blerësi privat ka nxjerrë fitime që mbulojnë të gjithë çmimin qesharak me të cilin shteti ia shiti këto vepra strategjike. SPAK duhet të hetojë kontratat dhe mënyrën se si u realizua kjo privatizim, përfshirë edhe çështjen e termocentralit të Vlorës.”
Pajtim Bello, një nga ekspertët e njohur të fushës, foli për pasojat politike dhe strategjike:
“Katër hidrocentrale që ishin pjesë e paketës së sigurisë kombëtare u shitën dhe kjo ka komprometuar rëndë pavarësinë energjetike të vendit. Këto veprime nuk janë thjesht çështje procedurale, por politike dhe strategjike. Privatizimi i tyre është një dritë e kuqe mbi mënyrën se si trajtohen asetet strategjike të Shqipërisë.”, tha inxhinier Bello.
Në një kohë kur diskutimi publik shpesh dominohet nga reality show-t dhe opinionistë të gjithëditur televizivë, çështjet thelbësore të mbijetesës ekonomike dhe pavarësisë energjetike janë lënë në harresë. Ky raportim i mbledhur nga intervistat e këtyre ekspertëve është një apel i fortë për ndërgjegjësim: pa institucione të forta, pa transparencë dhe pa mbrojtjen e aseteve strategjike, Shqipëria rrezikon të mbetet një spektatore e pafuqishme në tregun global të energjisë, duke humbur përfundimisht pavarësinë dhe mundësinë e zhvillimit të qëndrueshëm./dritare.net