
Çfarë po ndodh me të rinjtë? Hidhet nga pallati 13-vjeçarja në Korçë
Dritare.net
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Korçës. Një vajzë 13-vjeçare është vetëhedhur nga ballkoni i shtëpisë së saj në lagjen nr. 14.
Sipas burimeve, e mitura është hedhur nga kati i tretë i pallatit ku banonte, ndërsa familjarët e konstatuan menjëherë dhe njoftuan urgjencën. Ambulanca mbërriti në vendngjarje duke e transportuar vajzën drejt spitalit të Korçës.
Fatmirësisht, 13-vjeçarja është dërguar me shenja jete dhe ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve, të cilët po luftojnë për stabilizimin e gjendjes së saj shëndetësore.
Ngjarja e sotme shton shqetësimin e madh për fenomenin e vetëvrasjeve apo tentativave për vetëvrasje mes të rinjve. Vetëm pak ditë më parë, një 16-vjeçare në Tiranë humbi jetën pasi dyshohet se u hodh nga lartësia e një pallati në ndërtim.
Rastet e përsëritura ngrejnë alarmin për gjendjen emocionale të të rinjve, duke vënë në qendër të vëmendjes nevojën për mbështetje psikologjike, kujdes familjar dhe rol më aktiv të institucioneve për parandalimin e tragjedive të tilla.
Vetëvrasja nuk është zgjidhje. Nëse ndiheni të mbingarkuar ose të pashpresë, flisni me dikë që i besoni dhe kërkoni ndihmë profesionale. Telefononi 127!/K.C/dritare.net

















