
Suedia si ilaç për shpirtin dhe trupin. Pse mjekët këshillojnë të shkoni të paktën një herë!
Dritare.net

Suedia ka nisur një fushatë të re turistike me humor, që e paraqet vendin si “medikament” për shëndetin e vizitorëve. Fushata e quajtur The Swedish Prescription tregon mjekë që rekomandojnë aktivitete tipike suedeze, nga sauna tradicionale dhe larjet në liqene të akullt, te pushimet me fika (kafe dhe ëmbëlsira), shëtitjet në natyrë dhe vëzhgimi i qiellit plot me yje. Një nga mesazhet kryesore: Suedia ofron përvoja që përmirësojnë mirëqenien dhe relaksojnë trupin dhe mendjen.

Nisma mbështetet në shkencë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ekspozimi ndaj natyrës ul stresin, përmirëson humorin, rrit përqendrimin dhe zvogëlon rrezikun e sëmundjeve kronike. Suedia, me mbi 265 mijë ishuj, 100 mijë liqene dhe filozofinë friluftsliv (“jeta në ajër të hapur”), i fton vizitorët të lidhen me natyrën, të çlodhen dhe të rimarrin energji. Aktivitetet përfshijnë ecje në pyje, mbledhje të frutave dhe bimoreve të egra, not në liqene të akullt pas saunës, dhe pushime nën dritën e diellit që nuk perëndon për 100 ditë në veri.

Fushata përdor edhe elemente të humorit tipik suedez. Spotet përmendin “efektet anësore” të një pushimi suedez: dëshirë për të përqafuar pishat, varësi ndaj ujit të rubinetit, gjumë kaq të mirë sa ndihesh si person i ri dhe çorientim nga transporti publik që funksionon perfekt. Madje ekziston edhe një recetë, që vizitorët mund t’ia tregojnë doktorit: përshkruani një udhëtim në Suedi.

Ekspertët e turizmit vënë në dukje se kjo fushatë e bën Suedinë të duket jo vetëm si destinacion relaksues, por edhe si vend që ndihmon shëndetin fizik dhe mendor, duke e lidhur natyrën, kulturën dhe stilin e jetesës suedeze me mirëqenien./dritare.net



















