
Orari i punimeve në kantiere/Rama: Ditën jo, natën jo, por kur?
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama u ndal sot në çështjen e orareve të punës në kantiere ndërtimi, të cilat shpeshherë janë kthyer në shqetësim për qytetarët për shkak të zhurmës dhe bllokimit të rrugëve.
Sipas tij, rregullat për oraret e punimeve përcaktohen nga autoritetet vendore dhe jo nga qeveria qendrore.
“Orari i kantiereve nuk është çështje ligjesh e kodesh, por është në dorën e bashkive. Ditën kemi problem bllokim rrugësh, natën kemi zhurmë. Një mundësi të tretë nuk ka. Pra, sa më shumë hapësirë t’u japin bashkitë, aq më shpejt përfundon ndërtimi, sa më shumë t’u ngushtohet hapësira, aq më ngadalë do të ecë puna. Nuk është çështje e qeverisë,” tha Rama.
Ndërkohë, i pyetur për pezullimet që shpesh gjykatat vendosin ndaj vendimeve të autoriteteve për shkelje në ndërtim, kryeministri u shpreh se kjo nuk do të pengojë veprimtarinë e institucioneve.
“Duhet lexuar me vëmendje dispozita, ashtu siç është e detajuar. Është plotësisht ligjore dhe nuk do të ketë pengesa për autoritetet,” theksoi Rama./L.F-dritare.net

















