
Faza e dytë e aksionit të IKMT-së në Theth, Rama: Kush ndërton pa leje, investon për belanë e vet
Dritare.net
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur fazën e dytë të aksionit për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, në Shkodër. Kryeministri Edi Rama shpërndau pamje nga operacioni në rrjetet sociale, duke theksuar vendosmërinë e qeverisë për të luftuar çdo ndërtim të paligjshëm në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të Shqipërisë.
“Kush ndërton pa leje, investon vetëm për belanë e vet”, tha Rama, duke shtuar se aksioni nuk do të ndalet deri sa territori të pastrohet plotësisht nga shkeljet urbanistike. “Theth përsëri dhe kudo përsëri e përsëri, deri në fund, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, u shpreh ai.
Kujtojmë se disa muaj më parë IKMT zhvilloi fazën e parë të ndërhyrjes në Theth, ku u shembën dhjetëra ndërtime pa leje, kryesisht struktura të ngritura për shërbime turistike si bujtina dhe bare. Aksioni u shoqërua me kundërshtime nga disa banorë dhe biznesmenë të zonës, të cilët pretenduan se kishin aplikuar për legalizim ose kishin marrë miratime nga autoritetet vendore. Megjithatë, qeveria argumentoi se asnjë leje ndërtimi nuk mund të lëshohet brenda parkut kombëtar, pasi kjo bie ndesh me ligjin për zonat e mbrojtura.
Thethi, pjesë e Alpeve Shqiptare dhe Parkut Kombëtar të Thethit, është një nga pikat më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj. Rritja e interesit për turizmin ka sjellë shtim të ndërtimeve në vitet e fundit, por shumë prej tyre janë ngritur pa respektuar rregullat urbanistike. Autoritetet thonë se aksioni synon të ruajë integritetin mjedisor dhe kulturor të zonës, në mënyrë që zhvillimi turistik të mos dëmtojë trashëgiminë natyrore./K.C/dritare.net

















