Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sa rrezikohet Shqipëria nga hantavirusi? Ja çfarë thotë ISHP-ja!

Sa rrezikohet Shqipëria nga hantavirusi? Ja çfarë thotë

Instituti i Shëndetit Publik ka garantuar se në Shqipëri nuk është konfirmuar asnjë rast me Hantavirus, ndërsa autoritetet shëndetësore vlerësojnë se rreziku për përhapjen e virusit në vend mbetet shumë i ulët.

Në një deklaratë për mediat, epidemiologu Artan Simaku sqaroi se aktualisht nuk ka asnjë arsye për alarm apo kufizime në udhëtime dhe tregti, si për qytetarët shqiptarë ashtu edhe për ata europianë.

"Rrisku për Shqipërinë dhe kontinentin është shumë i ulët. Nuk ka asnjë lloj kufizimi të udhëtimeve dhe tregtisë, jo vetëm për shtetasit shqiptarë por edhe për evropianët."

Sipas ISHP-së, lloji i Hantavirusit i identifikuar në anijen turistike lidhet me një specie brejtësi që nuk ekziston në Shqipëri dhe në kontinentin europian. Simaku theksoi se virusi Andes, i përfshirë në shpërthimin e fundit, transmetohet vetëm në raste kontaktesh shumë të afërta dhe të zgjatura mes njerëzve, kryesisht në rreth familjar.

Ai shtoi gjithashtu se llojet e tjera të Hantavirusit që mund të qarkullojnë në Shqipëri nuk transmetohen nga njeriu te njeriu.

“Vlerësimi bazohet në disa kritere, së pari sepse nisur nga shpërthimi në anijen turistike, lloji i brejtësit që është rezervuar per virusin Andes nuk ekziston në Europë dhe Shqipëri.

Hantaviruset janë një grup, lloji i zbuluar në anije transmetohen vetëm në kontakte të ngushta dhe të gjata familjare nga njeriu tek njeriu. Llojet e tjera që qarkullojnë në Shqipëri nuk transmetohen mes njerëzve”, shtoi Simaku.

Megjithatë, autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se sistemi është në gatishmëri dhe janë marrë të gjitha masat për identifikimin në kohë të rasteve të dyshuara, si dhe për izolimin dhe monitorimin e kontakteve të mundshme./K.C/dritare.net