Kongresi Botëror i Ligjit në Tiranë, Rama: Vendim historik për ndarjen e politikës nga drejtësia
Dritare.net

Në një intervistë në podcastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimin e Kongresit Botëror të Ligjit të mbajtur këtë javë në Tiranë, duke e cilësuar si një ngjarje historike për vendin dhe imazhin e tij ndërkombëtar.
Rama u shpreh se një eveniment i tillë do të ishte i paimagjinueshëm vite më parë në Shqipëri, ndërsa sot fakti që Tirana është zgjedhur si mikpritëse e një platforme të rëndësishme globale në fushën e shtetit të së drejtës tregon, sipas tij, transformimin e vendit dhe rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare.
Ai theksoi se Kongresi Botëror i Ligjit nuk është vetëm një aktivitet akademik apo ekonomik, por një ngjarje që simbolizon një epokë të re për Shqipërinë, të lidhur me procesin e reformës në drejtësi dhe forcimin e institucioneve.
“Javën që po lëmë pas, Tirana mirëpriti sesionin hapës, preludin e Kongresit Botëror të Ligjit, një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e shtetit të së drejtës që vjen në Shqipëri dhe për të cilën Shqipëria bëhet mikpritëse. Diçka e paimagjinueshme deri disa vite më parë, sepse kjo nuk është thjesht një ngjarje për turizmin, kjo nuk është thjesht një ngjarje për zhvillimin ekonomik, kjo nuk është thjesht një ngjarje për të mbledhur bashkë ekspertë të një fushe apo të një fushe tjetër për të folur për një sektor, kjo është një ngjarje që përcakton një epokë që përcakton hapjen e një epoke tanimë të konfirmuar nga respekti i platformës së Kongresit Botëror të ligjit që nuk do të vinte kurrë në Shqipërinë e deri disa vite më parë sepse nuk do të kishte asnjë mundësi të fliste dhe të referonte nga ky vend për sundimin e ligjit, përkushtimin e shteteve demokratike ndaj sundimit të ligjit dhe për vullnetin e shumicave qeverisëse për të garantuar paprekshmërinë e sistemit të drejtësisë dhe fakti që Tirana zgjidhet sot për të mbledhur figura kaq të rëndësishme në fushën e së drejtës, juristë, ekspertë, protagonistë të betejës për të drejtën në historinë tonë bashkohore lidhet pikërisht me konfirmimin e këtij transformimi.
Kështu që është edhe një herë tjetër një arsye për të qenë jo thjesht krenarë për reformën në drejtësi, por të vendosur për ta çuar atë përpara duke i qëndruar besnik atij hapi dhe atij vendimi historik që kemi marrë për të ndarë politikën nga drejtësia, për të ndarë pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ nga pushteti i drejtësisë dhe për t’ia dorëzuar shpatën e drejtësisë zonjës së drejtësisë, e cila ka nevojë në Shqipëri të mbështetet, të ndihmohet, të mirëkuptohet në një proces ku, jo vetëm shpata, por edhe sytë e mbyllur dhe peshorja për të qenë e barabartë dhe e drejtë me të gjithë janë pjesë e kësaj përpjekje të madhe dhe të përbashkët”, tha Rama./K.C/dritare.net