Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Protesta e tetë e PD-së, Berisha rikthen marshimin në kryeqytet!

Protesta e tetë e PD-së, Berisha rikthen marshimin në kryeqytet!
Situata në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë është ende e qetë, ndërsa pritet të nisë protesta e radhës e thirrur nga Partia Demokratike.

Në zonë janë mbledhur vetëm një numër i kufizuar mbështetësish, ndërsa kushtet atmosferike me reshje shiu të intensifikuara kanë ndikuar në pjesëmarrjen dhe zhvillimin e tubimit.

Kjo është protesta e tetë e organizuar nga Partia Demokratike nën sloganin “Kilometri i fundit”, ku opozita ka artikuluar kërkesën për ndryshim politik dhe rrëzim të qeverisë aktuale. Në tubimet e mëparshme janë raportuar edhe momente tensionesh dhe përplasje me forcat e rendit, ndërsa këtë herë pritet të ndiqet e njëjta axhendë proteste.

Nga ana e autoriteteve, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë të ditur se leja e dhënë për protestën kufizohet vetëm në zhvillimin e saj në bulevard, ndërsa çdo shkelje e mundshme e kushteve ligjore do të shoqërohet me masa përkatëse.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme do të kufizohet lëvizja në disa akse dhe segmente rrugore.

Njoftimi:

"Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 08.05.2026, në orën 19:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.

Në bazë të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit në vendin dhe afatin kohor të kërkuar.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

nga ora 23:45 e datës 07.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;

nga ora 15:00 e datës 08.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.

Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike."/K.C/dritare.net