Jo vetëm jugu. Investitorët tani i kanë kthyer sytë nga këto destinacione të reja!
Dritare.net

Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po përjeton një bum, veçanërisht në zonën bregdetare, ku çmimet kanë shënuar rritje stratosferike. Ndryshe nga tregu më i ngadaltë i Tiranës, Ilda Zaloshnja CEO & Founder of Capital Point e përshkruan bregdetin e jugut “në flakë”, i nxitur nga një fluks masiv turistësh që, të magjepsur nga bukuritë natyrore, kthehen në investitorë.
Zonja Zaloshnja tregon se ky fluks ka transformuar totalisht tregun. Nëse disa vite më parë një apartament në zonën e Lungomares në Vlorë mund të blihej për 600-700 euro për metër katror, sot çmimet në të njëjtën zonë nisin nga 1700 euro dhe shkojnë deri në 2000 euro. Në destinacionet më ekskluzive si Dhërmiu apo Palasa, apartamentet në komplekset e reja shiten me çmime që variojnë nga 2800 deri në 3500 euro për metër katror, shifra që dikur ishin të paimagjinueshme.
Klientela e blerësve është diversifikuar ndjeshëm. Krahas blerësve tradicionalë shqiptarë dhe atyre nga diaspora, vihet re një interesim në rritje konstante nga të huajt. Surpriza më e madhe është interesi nga blerës amerikanë, të cilët, të tërhequr nga promovimi ndërkombëtar i Shqipërisë, po eksplorojnë mundësitë e investimit në bregdet.
"Blejnë shqiptarë, blejnë diaspora. Blejnë edhe të huaj. Ka një interesim gjithmonë në rritje deri edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka blerës që vijnë dhe interesohen, pyesin. Sepse Shqipëria është promovuar jashtëzakonisht shumë në vitet e fundit".
Megjithatë, një pjesë e të huajve vijnë me pritshmërinë e çmimeve të ulëta të së shkuarës dhe befasohen nga realiteti i ri i tregut. Pavarësisht rritjes së ndjeshme, Shqipëria mbetet ende konkurruese në rajon. Në krahasim me Greqinë, ku çmimet mund të arrijnë 10,000 euro për metër katror, apo Malin e Zi ku fillojnë nga 7,000-8,000 euro, tregu shqiptar konsiderohet ende i lirë për një kategori të caktuar blerësish. Por kjo “dritare mundësie” po mbyllet me shpejtësi për blerësit vendas me të ardhura mesatare, për të cilët ëndrra e një apartamenti në vijën e parë të detit po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë.
"Ka një moskonceptim real në fakt të Shqipërisë nga ana e atyre që jetojnë jashtë, edhe të diasporës, edhe të të huajve, sipas të cilit Shqipëria duhet të jetë prapë 600 euro. Pra, kur vijnë, vijnë me atë idenë që Shqipëria duhet të jetë një vend shumë i lirë dhe kur ti i thua çmimet, ngelen pak të befasuar. Ndërkohë, ajo që ne ju themi është që Greqia i ka nga 10.000 euro metri katror. Mali i Zi, po themi, po flasim për prona të të njëjtit standart, në lokacione të ngjashme. Mali i Zi fillon nga 7-8.000 euro metri katror. Kështu që duke bërë krahasimet të paktën me dy shtete në jug dhe në veri, Shqipëria ngelet akoma e lirë për atë kategori blerësish. Për fat të keq, për ne si shqiptarë, dritarja e investimit po mbyllet gjithmonë e më shumë, sepse çmimet po rriten gjithmonë e më shumë. Por nuk do të thosha që do mbyllet fare, unë do të thosha që në qoftë se ti do doje të kishe një apartament në buzë të detit, nuk do ta kesh dot më, sepse do të ketë një kosto shumë të lartë, por ama mund të kesh një apartament në bregdet në një vijë të dytë, të tretë, të katërt, siç është në gjithë botën në fakt në fund të fundit".
Ndërkohë që jugu konsolidon pozitat si një treg luksi, vëmendja po zhvendoset drejt bregdetit të veriut. Zona si Rëra e Hedhur, Shëngjini dhe plazhi i Tales po kthehen në destinacione të reja investimi, falë projekteve madhore infrastrukturore. Ndërtimi i rrugëve të reja, bypass-eve dhe aeroporteve (si ai i Vlorës) po lidhin fshatra dikur të izoluar, duke hapur rrugën për zhvillime të reja turistike dhe duke ofruar benefite të shumta për investitorët. Këto zhvillime pritet të transformojnë të gjithë vijën bregdetare shqiptare, duke e shndërruar atë në një pol tërheqës investimesh në Mesdhe./L.F-dritare.net