OBSH identifikon pacientin zero të hantavirusit
Dritare.net

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka identifikuar pacientin zero të një varianti andin të hantavirusit, i lidhur me shpërthimin e infeksionit në anijen turistike “MV Hondius”.
Bëhet fjalë për një ornitolog holandez 70-vjeçar, Leo Schilperoord, i cili po udhëtonte prej katër muajsh në Amerikën e Jugut së bashku me bashkëshorten e tij, Mirjam Schilperoord.
Çifti kishte mbërritur në portin argjentinas të Ushuaias më 1 prill, pasi kishin vizituar disa vende të Amerikës së Jugut për aktivitetin e tyre të preferuar, birdwatching. Sipas raportimeve, ata kishin kaluar vetëm dy ditë në rajonin Tierra del Fuego gjatë udhëtimit në Argjentinë dhe Kili.
Dyshohet se infektimi mund të ketë ardhur nga kontakti me brejtës të egër në një zonë grumbullimi mbetjesh pranë Ushuaias, ku çifti kishte shkuar për të vëzhguar shpendët.
Sipas të dhënave të publikuara, çifti nga Holanda kishte nisur udhëtimin në nëntor dhe kishte vizituar Argjentinën, Kilin dhe Uruguajin, përpara se të rikthehej sërish në Argjentinë në fund të marsit.
Hantavirusi është një infeksion viral që transmetohet kryesisht nga brejtësit dhe në disa raste mund të shkaktojë komplikacione të rënda respiratore./K.C/dritare.net