Pentagoni publikon dosje sekrete për UFO-t. Çfarë ka të re!
Dritare.net

Komuniteti i apasionuar pas UFO-ve po pret prej dekadash përgjigje rreth fenomeneve të pashpjegueshme në qiell. Tani, publikimi i parë i dokumenteve të deklasifikuara nga qeveria amerikane ka rikthyer debatet mbi jetën jashtëtokësore dhe transparencën e autoriteteve.
Administrata e presidentit Donald Trump publikoi 162 dokumente dhe pamje të reja mbi fenomenet e paidentifikuara ajrore. Materialet përfshijnë memo ushtarake, raporte nga misionet Apollo dhe dëshmi nga persona që pretendojnë se kanë parë objekte fluturuese me origjinë të panjohur.
Në një reagim në rrjetin Truth Social, Trump shkroi: “Njerëzit mund të vendosin vetë se çfarë po ndodh.”
Megjithatë, dokumentet nuk përmbajnë prova konkrete për ekzistencën e alienëve apo kontakte me jetë jashtëtokësore. Kjo ka zhgënjyer një pjesë të komunitetit UFO, i cili priste zbulime më tronditëse.
MUFON, një nga organizatat më të njohura të kërkimit të UFO-ve në SHBA, e cilësoi publikimin si “një hap në drejtimin e duhur”, por jo të mjaftueshëm.
John Erik Ege, drejtues rajonal i MUFON Texas, tha se shumica e materialeve kanë qenë të njohura prej kohësh për studiuesit e fenomenit.
“Ende nuk ka prova të qarta për kontakte apo trupa alienësh, por shpresojmë që kjo të jetë vetëm fillimi,” u shpreh ai.
Entuziastët besojnë se qeveria amerikane po ecën gradualisht drejt një transparence më të madhe. Në rrjetet sociale dhe forumet e dedikuara për UFO-t, dokumentet po analizohen në detaje, ndërsa shumë përdorues i konsiderojnë ato “më shumë teatër sesa zbulim”.
Ndërkohë, interesimi publik për fenomenet UFO duket se po rritet ndjeshëm. Grupet online me dhjetëra mijëra anëtarë kanë parë një shtim të madh muajt e fundit, ndërsa shumë njerëz kërkojnë përgjigje mbi atë që mund të ekzistojë “përtej Tokës”.
Qeveria amerikane ka paralajmëruar se dokumente të tjera do të publikohen në javët në vijim./L.F-dritare.net