Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pezullohet mjeku 72-vjeçar në Korçë, ngacmoi seksualisht pacienten. Ja çfarë thotë spitali!

Pezullohet mjeku 72-vjeçar në Korçë, ngacmoi seksualisht

Në lidhje me rastin e rëndë të denoncuar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku një mjek 72-vjeçar akuzohet për ngacmim seksual ndaj një pacienteje 21-vjeçare, ka reaguar edhe vetë institucioni shëndetësor.

Përmes një njoftimi zyrtar, Spitali i Korçës bën me dije se është vënë menjëherë në dijeni të ngjarjes dhe ka bashkëpunuar pa vonesë me organet ligjzbatuese për ndjekjen e procedurave të nevojshme.

Institucioni e cilëson rastin si tejet sensitiv dhe serioz, ndërsa thekson se çdo sjellje që cenon dinjitetin, integritetin dhe sigurinë e pacientëve është e papranueshme dhe duhet të trajtohet me përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore.

“Në lidhje me ngjarjen e raportuar pranë Spitalit Rajonal Korçë, bëjmë me dije se institucioni është vënë menjëherë në dijeni të rastit dhe ka bashkëpunuar pa asnjë vonesë me organet ligjzbatuese për ndjekjen e të gjitha procedurave të nevojshme.

Duke e konsideruar këtë një çështje tejet sensitive dhe serioze, Spitali Rajonal Korçë shpreh qëndrimin e prerë se çdo pretendim apo sjellje që cenon dinjitetin, integritetin dhe sigurinë e pacientëve është e papranueshme dhe duhet të trajtohet me përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore.


Institucioni ka nisur menjëherë verifikimet administrative të brendshme, ndërkohë që do të ndiqet me korrektësi çdo procedurë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rezultatet e hetimeve të organeve kompetente. Për këtë shkak deri në një vendim nga organet kompetente ka bërë pezullimin e mjekut nga funksionet e tij.

Në respekt të procesit hetimor dhe për të garantuar integritetin e tij, Spitali Rajonal Korçë nuk mund të japë në këtë fazë detaje të mëtejshme mbi rastin. Mbrojtja e pacientit, etika profesionale dhe standardet e ofrimit të kujdesit shëndetësor mbeten prioritete të panegociueshme për institucionin tonë.”, shkruan Spitali Rajonal Korçë./K.C/dritare.net