Sa është kostoja e ndërtimit të Tunelit të Porto Palermos! Flasin inxhinierët
Dritare.net
Kostoja e ndërtimit të tunelit të Porto Palermos shkon 1.5 miliardë euro. Kështu thanë Bashkim Salillari kryeinxhinieri i punimeve dhe Gëzim Bakiu, projektuesi kryesor i portave të tunelit të Porto Palermos në një emision të jashtëzakonshëm në DritareTV.
“Kostoja e Porto Palermos sipas arsyetimit tonë, që jemi marrë me këtë zanat edhe më mbrapa, afrohet në 1.5 miliardë euro me të tanishmet. Këtu përfshijmë edhe pagesën e punëtorëve se ushtarët në atë kohë punonin pa paguar. Por nuk kemi gjë të përcaktuar se në atë kohë çdo gjë e kishte shteti.", tha inxhinier Salillari.
Ndërsa projektuesi i dy portave të tunelit tregon për gazetaren Rudina Xhunga nëse kjo kryevepër inxhinierike është produkt kinez apo shqiptar.
"Projekti i Porto Palermos është bërë fillimisht nga kinezët në 1973-shin për të strehuar silurusët e pastaj raketat. Betonimet e mëdha janë bërë sipas projektimeve të kinezeve të financuara tërësisht nga Kina. Ata morën përsipër realizmin e projektit, zbatimin, pajisjet dhe koston e objektit. Por pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, u ndryshua projekti. Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu vendosën që ky objekt të transformohej në strehimin e nëndetëseve që e kishin bazën në Pashaliman, ishin në det të hapur dhe të pambrojtura. Ne përshtatëm këtë objekt sipas kërkesave të nëndetëseve. E çuam thellësinë e tunelit nga 2.5 në 6.5 metra. Ndërsa pjesa më e vështirë ishte puna me dyert. Bëmë dyer të reja, portën e jugut e ndamë më dysh, pjesa mbi ujë dhe nën ujë që shkon deri në 9 metra.”, thonë inxhinierët për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV./K.C/dritare.net