
Rama në Samitin e NATO-s: Shqipëria, ka një nga muret më të forta kibernetike!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ndau me audiencën e NATO-s përvojën e Shqipërisë pas një sulmi masiv kibernetik. Ai filloi me një vërejtje: 'Qeveritë kurrë nuk marrin meritë për atë që parandalojnë të ndodhë'. Kjo, sipas tij, është thelbi i punës në mbrojtjen kibernetike. Rama rrëfeu se si vendi ynë u gjend në mes të një sulmi të egër që synoi infrastrukturën dixhitale të ndërtuar për të luftuar korrupsionin dhe për të modernizuar shërbimet publike, duke sjellë 95% të tyre në xhepat e qytetarëve.
'Gjithë ai investim mund të ikte në tym si një fatkeqësi,' tha ai, por Shqipëria i mbijetoi. Mësimi i nxjerrë nga kjo përvojë ishte vendimtar. Sot, Rama deklaroi me krenari se Shqipëria ka një prej mureve mbrojtëse më të mira kibernetike mes vendeve të NATO-s. Sekreti i këtij suksesi qëndron në kombinimin e mbrojtjes kibernetike me Inteligjencën Artificiale. 'Është inteligjenca jonë artificiale brenda këtij muri mbrojtës që bën punën 24/7 për të zbuluar në faza shumë të hershme potencialin e sulmeve të dëmshme,' shpjegoi ai, duke shtuar se sistemi përballet me një sulm mesatarisht çdo tre minuta, duke i zmbrapsur me sukses.

















