
Rama në Konferencën e NATO-s në Tiranë: I vetmi në qeverinë time pa doktoraturë, jam thjesht artist!
Dritare.net
Shqipëria është mikpritësja e Konferencës së 3-të të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, një event i rëndësishëm i nivelit të lartë që po zhvillohet në Tiranë me pjesëmarrjen e delegacioneve nga 32 vendet anëtare të Aleancës.
Konferenca shërben si një platformë strategjike për shkëmbimin e njohurive, forcimin e bashkëpunimit dhe hartimin e qasjeve të përbashkëta ndaj sfidave dhe kërcënimeve në rritje në hapësirën kibernetike. Gjithashtu konferenca vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një arkitekture më të qëndrueshme dhe të sigurt në mjedisin digjital të Aleancës.
Fjala e kryeministrit Rama!
"Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë!
Për një arsye tjetër duket sikur kjo është punë e të gjatëve, midis meje, Markut dhe Jean Charles. Na duhen dhe dy të tjerë, pastaj mund t’i mundim të gjithë në basketboll, ma ha mendja.
Megjithatë faleminderit shumë që jeni këtu. Është vërtetë një nder të kesh kaq shumë shtete miqësore të mbledhura këtu përmes jush dhe është kënaqësi që t’ju mikpresësh, zoti zëvendës sekretar i përgjithshëm dhe po kështu të dëgjoje mesazhin nga miku ynë i dashur Mark Rutte.
Sa për ta ditur, supozohet që të mbaj një fjalim shumë të gjatë, por do t’ju shpëtoj nga mërzia e gjithë kësaj dhe do të përpiqem të flas sa më shkurt të jetë e mundur që nuk është diçka që e kam virtyt, por do të përpiqem sepse ma ha mendja, që po, ju duhet të punoni fort sot, po në të njëjtën kohë ju duhet ca kohë që të shijoni pak qytetin.
E para, do të thoja që qeveritë marrin meritën ose fajin për atë çfarë bëjnë si duhet ose atë për të cilën gabojnë, por qeveritë kurrë nuk marrin asnjë meritë për atë çfarë parandalojnë të ndodhë dhe ajo çka parandalojnë të ndodhë, nuk është vetëm pjesë e misionit të saj, por është një pjesë e rëndësishme e këtij misioni.
Nëqoftëse qeveritë do të gjykoheshin përmes të dhënave reale mbi atë çka parandalojnë të ndodhë, unë besoj që njerëzit do të kishin një mendim më të mirë për to. Kur bëhet fjalët për hapësirën kibernetike, është pikërisht kështu; investimi, ndërmarrja e një mori përpjekjesh për të parandaluar që të ndodhin gjëra të tmerrshme. Ne e dimë se si ndihesh kur kjo ndodh sepse ndryshe nga shumë ju, uroj që të mos ju duhet kurrë të përballeni me këtë, ne na u desh të përballemi dhe e pamë veten në mes të një sulmi kibernetik mjaft të keq e të gjerë që synoi infrastrukturën tonë digjitale, që është krenaria jonë. Ne kemi investuar në infrastrukturën tonë digjitale për një qëllim shumë të rëndësishëm, në mënyrë që të bëjmë një kapërcim e të lëmë pas krahëve një histori mjaft të rëndë ryshfetesh kudo e për gjithçka.
Kësisoj përmes kësaj gjëje, ndryshuam krejt “mallkimin” e marrëdhënieve midis qeverisë dhe qytetarëve, midis shërbimeve publike dhe qytetarëve, sepse u bëmë nga të parat vende që nuk kishin sportele për të ofruar shërbimet dhe i sollëm 95% të këtyre shërbimeve në xhepat e qytetarwve, ku mbajnë telefonat inteligjentë a celularë dhe për personat brena a jashtë vendit, të gjithë mund t’i marrin menjëherë dhe falas këto shërbime.
Ky ishte në fakt synimi, një investim i jashtëzakonshëm për burimet tona të kufizuara dhe gjithë ajo kohë e shpenzuar për ta bërë këtë, mund të iknin në tym si pa të keq. I mbijetuam kësaj dhe jam shumë krenar t’ju them që kemi një prej mureve mbrojtëse më të mira kibernetike mes vendeve të NATO-s. Nuk është vizionare, është diçka që lind nga nevoja më elementare e mbijetesës.
Sot përballemi mesatarisht me një sulm kibernetik në çdo tre minuta, por ja dalim t’i zmbrapsim tërësisht. Kur behet fjalë për sulme që lënë gjurmë, kemi pasur 48 të tilla gjatë gjithë vitit të fundit. 48 edhe një herë kanë lënë gjurmë por nuk kanë bërë asnjë dwm të konsiderueshëm.
Kështu që, kur vjen fjala për infrastrukturën tonë shtetërore qoftë kjo digjitale ose fizike e përsëris me krenari jemi mes më të mirëve. Kjo sepse ma ha mendja kemi qenë mes të parwve fare që kombinuan mbrojtje kibernetike me inteligjencën artificiale dhe është inteligjenca jonë artificiale brenda këtij muri mbrojtës kibernetik që bën punë 24 orë në ditë, 7 ditë të javës për të zbuluar në faza shumë të hershme potencialin e sulmeve të dëmshme, por kjo është vetëm një anë e medaljes. Ana tjetër është sektori privat. Na duhet të bëjmë shumë më tepër për ta përfshirë sektorin privat dhe për t’i ndërgjegjësuar që ashtu si vdekja që nuk është thjeshtë një zë i pa konfirmuar siç shumë nga ne në Ballkan besojnë se është, sulmi kibernetik është real dhe dwmi që mund të bëjë është real.
Kështu që mund t’ju them sesi kanë ecur gjerat në sektorin financiar me bankat pasi kaluam këtë sulm kibernetik të cilit i mbijetuam nga një vend që na vë në shënjestër sistematikisht, por që tashmë jemi shumë më të mirë pozicionuar për ta përballuar. Mblodhëm bankat dhe thamë “jemi në shënjestër të aktorëve të mëdhenj, jo të një aktori të vogël kështu që ju lutem angazhohuni, ju lutem investoni, ju lutem të bashkëpunojmë. Jemi gati t’ju ofrojmë dijen tonë, t’ju ndihmojmë” dhe e morën shumë lehtë. Pastaj një prej tyre u desh të përballej me këtë gjë dhe kuptoi që ishte vërtet shumë keq.
Tani mund të themi me paksa çlirim që kur vjen fjala për sektorin bankar niveli i mbrojtjes është i lartë, po aq sa është i lartë kur vjen fjala për sektorin energjetik. Por thënë kjo, ka shumë më tepër për tu bërë. Dhe pashë Sekretarin e Përgjithshëm që po pohonte me kokë, që do të thotë të gjitha vendet duhet të përballen me këtë vështirësi që ta përfshijnë dhe të bëjnë që sektori privat të angazhohet me shpejtësinë që lejon koha në të cilën jetojmë.
Dhe pika e fundit që dua të përmend duke qenë se nuk e mbajta as premtimin për të folur shkurtimisht, që bëra më parë, pra nuk e mbajta premtimin për të folur shkurt, por dua të them diçka, që ndryshe nga forca të tjera në hapësirën tonë të bashkëjetesës në këtë planet, ne jemi të mëdhenj por jemi të vegjël. Kur flas për ne, flas për ne NATO-n. Jemi të mëdhenj sepse shuma e vendeve tona është e jashtëzakonshme por jemi të vegjël sepse jemi shumë të fragmentarizuar. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen kibernetike nuk është ide e mirë të qëndrosh më vete, përkundrazi është një ide shumë e mirë që të bëhesh pjesë e qendrës për mbështetjen kundër incidenteve, një nismë e NATO-s për të mbledhur të gjitha vendet dhe për të formësuar një mbrojte shumë më të fortë përmes ndarjes së të dhënave tona, përpjekjeve tona të përbashkëta dhe përmes ndarjes së infrastrukturës dhe kjo është thelbësore.
Shqipëria është një nga të parat që është bërë pjesë tashmë dhe do të uroja që të gjitha vendet të bëheshin pjesë, në të kundërt do të na duhet ta bëjmë një gjë të tillë, por pasi të kemi marrë një mësim në kurriz se nuk është ide e mirë që të jemi të ndarë. Sepse ka një gjë që kam mësuar nga ekspertët e luftës kibernetike dhe kemi pasur mundësi që të punojmë me ekspertët më të mirë, me aktorët më të mirë për të forcuar mbrojtjen tonë që është shumë e rëndësishme ta njohësh armikun dhe të njohësh instrumentet që përdor armiku, në mënyrë që të mos duhet të përballesh vetë, në momentin që mëson kur armiku sulmon dikë tjetër.
Pra mbledhja e të gjitha informacioneve për instrumentet që përdor armiku, të gjitha mjetet novatore që armiku përdor në momentin kur hyn në këtë hapësirë është një domosdoshmëri dhe se bën dot kur je veç të tjerëve, ndërkohë që kur jemi së bashku mëson për masat e tua, në mënyrë që ai instrument i ri që ka dalë të mos të të dëmtojë. Mbështetur në bashkëpunimin tonë me disa partnerë, partnerë jo të NATO-s, kuptuam që ndërkohë që na ndihmonin ne, ata mësonin, nxirrnin mësime për veten e tyre, për të parë çfarë ishte e re nga fronti i armikut.
Këto ishin ato çfarë unë doja të thoja dhe mos harroni se unë nuk jam gjeneral, nuk jam ekspert kibernetik, asnjë lloj eksperti në fakt. Jam i vetmi në qeverinë time pa një doktoraturë, jam thjesht një artist.
Faleminderit shumë!", tha Rama./K.C/dritare.net

















