
Qytetarët e revoltuar me drejtësinë: Jemi të lodhur!
Dritare.net

Pas vrasjes tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit, qytetarët shprehen të revoltuar për gjendjen e drejtësisë në Shqipëri. Dritare TV ka pyetur ata për mendimet e tyre mbi ngjarjen e rëndë.
Shiko videon e plotë
Njëri nga qytetarët thekson se populli shqiptar vuan nga mosbesimi:
“Nuk besojmë te vetja, nuk besojmë tek shoku, nuk besojmë te qeveria, s'besojmë te drejtësia, te policia.” Ai thekson se kjo krizë besimi e bën shtetin të pafuqishëm dhe shoqërinë të pambrojtur.
Sistemi i drejtësisë përshkruhet nga qytetarët si i kalbur nga korrupsioni, ndërsa shprehen se shpesh zvarritja e çështjeve të pronës dhe vendimet e padrejta i shtyjnë qytetarët drejt dëshpërimit dhe veprimeve ekstreme.
“Në drejtësi asnjë besim s’kam. Po nuk ja dërgove lek nëpërmjet avokatit, ai nuk jep vendim, ke të drejtë a s’ke të drejtë,” shprehet qytetari.
Megjithëse vrasja dënohet si një akt i tmerrshëm, një qytetar bën një deklaratë të fortë:
“Dënojmë atë që vrau një njeri, po unë dënoj shumë këta gjykatës që kanë vrarë një Shqipëri.”- shprehet një qytetar.
Një qytetar tjetër kujton historinë e dhimbshme të pronave:
“Historikisht shqiptarët janë vrarë për një vij ujë e për një gardh. Gjithë jetën mbetëm gjyqeve, hajdutët u bënë miliarderë, ne nuk morëm atë që na takon.” –shprehet një qytetar.
Ndërsa një tjetër thekson se “nuk është gjë e vogël të humbasësh pronën” dhe sipas tij 30-vjeçari u detyrua të vepronte pasi nuk kishte marrë drejtësi. Një qytetar tjetër shton: “I shkreti djalë që mori me qafë veten e tij zgjodhi rrugën e gabuar.”
Në fund apeli i qytetarëve është i qartë, ndërsa dhuna individuale është e papranueshme, shoqëria dhe shteti duhet të adresojnë shkaqet rrënjësore. Pa një sistem drejtësie funksional, të besueshëm dhe të pakorruptuar, cikli i dhunës dhe padrejtësisë rrezikon të vazhdojë, duke prodhuar viktima të tjera./E.P-dritare.net
Shënim: Vrasja e gjykatësit ka sjellë frikë, zhgënjim dhe shumë debat nga njerëz të zakonshëm që po sulmojnë hapur drejtësinë në Shqipëri. Dritare TV ju jep mikrofonin të gjithëve, por ne jemi kundër dhunës në çdo shprehje të saj, kundër vrasjes për detyrën, sepse sado keq ta bëjë detyrën një gjykatës, polic, një shtet, më keq se pa gjykatës, police, shtet nuk ka. Kujtoni ’97!”

















