
Kryeministri Edi Rama pret në Tiranë kryebashkiakun e New York-ut, Eric Adams
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama priti sot në Tiranë kryebashkiakun e New York-ut, Eric Adams, i cili ndodhet për herë të parë në Shqipëri me ftesë të tij. Rama e cilësoi Adams një mik të vjetër dhe theksoi se vizita e tij vjen pas një komunikimi të vazhdueshëm dhe lidhjeve të forta që ai ka me komunitetin shqiptar në SHBA.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp, Rama theksoi se një nga temat kryesore të diskutimit është nxitja e turizmit dhe vendosja e fluturimeve direkte midis Tiranës dhe New York-ut, duke përmendur rolin kyç që Adams ka pasur në hapjen e linjave të ngjashme me vende të tjera.
Kryebashkiaku Eric Adams u shpreh se është i impresionuar nga zhvillimet që ka parë në Shqipëri, duke përmendur transformimin e vendit në 25 vitet e fundit dhe krijimin e institucioneve moderne, përfshirë Ministrinë e Inteligjencës Artificiale. Ai theksoi se në New York jeton një nga komunitetet më të mëdha shqiptare jashtë vendit dhe se kjo vizitë synon forcimin e marrëdhënieve në fusha si biznesi, kultura dhe turizmi.
“Duam të krijojmë një marrëdhënie simbiotike mes New York-ut dhe Shqipërisë, për të nxitur tregtinë, shkëmbimet kulturore dhe bashkëpunimin në teknologji,” tha Adams, duke shtuar se do të inkurajojë bizneset amerikane të investojnë në Shqipëri dhe të rinjtë nga të dy vendet të shkëmbejnë përvoja.
Në fund të deklaratës, Adams tha se qëllimi i tij është “të përshëndesë një mik, të mësojë nga një mik dhe të ndërtojë një miqësi që do të forcojë lidhjet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.”/l.F-dritare.net

















