Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kryebashkiaku i New York-ut Eric Adams viziton Shqipërinë: Një vend i mrekullueshëm me njerëz miqësorë

Kryebashkiaku i New York-ut Eric Adams viziton Shqipërinë: Një

Kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams, ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku ka vlerësuar zhvillimin e turizmit dhe sigurinë në vend. Ai e cilësoi Shqipërinë si “një vend të mrekullueshëm me njerëz miqësorë” dhe theksoi se qëllimi i vizitës është të forcojë bashkëpunimin në fushën e turizmit, sigurisë publike dhe inovacionit.

“Disa vite më parë, djali im erdhi të performonte këtu dhe më tha se ishte një vend shumë i bukur. Gjatë kohës që kam qenë në detyrë, kam qenë gjithashtu në kontakt me Kryeministrin dhe i kisha premtuar se do të vija për të parë zhvillimin e turizmit dhe për të diskutuar çështje që lidhen me sigurinë publike dhe tema të tjera të ngjashme,” u shpreh Adams.

Ai shtoi se sot ka parë përparimin e bërë në turizëm, por theksoi se synohet një zhvillim edhe më i madh përmes bashkëpunimit me New York-un. “New York-u është si ‘Shqipëria e Amerikës’. Vendi juaj është i mrekullueshëm dhe njerëzit tuaj janë shumë miqësorë, keni një ndjenjë sigurie të jashtëzakonshme. Mund të ecësh natën në rrugë pa asnjë problem,” tha kryebashkiaku.

Adams nënvizoi se aktualisht po shqyrtohen mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit, përfshirë krijimin e një linje të drejtpërdrejtë ajrore midis New York-ut dhe Shqipërisë, siç është bërë me Azerbajxhanin. Ai gjithashtu e vlerësoi Vlorën si një qytet të bukur dhe një vend ideal për shkëmbim përvojash.

“Ju ftoj të vini në New York, ashtu si edhe ne do të vijmë me kënaqësi në vendin tuaj,” shtoi Adams.

Kryebashkiaku përfundoi duke theksuar se bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe inovacionit është një mundësi e re për të forcuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “New York-u është si Shqipëria e amerikanëve, pasi në New York kemi një popullsi të madhe shqiptarësh,” përfundoi ai./K.C/dritare.net