
Vrasja e gjyqtarit/ Dhoma e Avokatisë: Bojkotojmë të gjitha proceset hetimore dhe gjyqësore!
Dritare.net
Pas vrasjes tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka marrë një vendim të fortë simbolik: bojkot të përgjithshëm të të gjitha proceseve hetimore dhe gjyqësore për dy ditë radhazi, më 9 dhe 10 tetor.
Ky reagim vjen si shenjë proteste dhe alarmi për sigurinë e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, në një prej ngjarjeve më të rënda dhe të paprecedentë që ka goditur ndonjëherë drejtësinë shqiptare.
VENDIMI
"Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, përcjell me shumë shqetësim ngjarjen lidhur me vrasjen e Gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Z.Astrit KALAJA, si ngjarja më e rëndë dhe e paprecedentë e ndodhur ndonjeherë në sistemin e drejtësisë.
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatise të Shqipërisë vendosi njëzeri që të bojkotoj të gjitha proceset hetimore dhe ato gjyqësore, për çështjet penale, civile dhe administrative, në të gjitha nivelet e gjykimit, për datat 9 dhe 10 Tetor 2025. Ky bojkot është një thirrje për të gjithë opinionin, politikën shqiptare, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, si dhe palët ndërgjygjëse, që të angazhohen me përgjegjësinë maksimale për sigurimin e jetës dhe shëndetit, si dhe të veprimtarisë dhe aktivitetit të gjyqtarëve, prokurorëve, dhe avokatëve në ushtrimin e detyrave të tyre në realizimin dhe funksionimin e drejtësisë.
Ky vendim nuk i shtrin efektet e tij për masat e sigurimit në procesin penal. Urdhërohen të gjithë kryetarët e Dhomave Vendore të Avokatisq për ekzekutimin e këtij vendimi.
KRYETARI
Prof. Dr. Maksim HAXHIA", thuhet në vendim./K.C/dritare.net

















