
Spartak Ngjela: Frika nga pasojat ekstreme mund ta frenojë korrupsionin
Dritare.net
Duke analizuar gjendjen mendore të autorit të krimit, avokati Spartak Ngjela shpjegon se veprime të tilla paraprihen nga një 'monolog i brendshëm' intensiv, ku individi peshon mes jetës së tij dhe aktit të vrasjes. 'Po se vrava, s'kam jetë,' është mendimi ekstrem që e shtyn autorin drejt krimit, i ushqyer nga një ngarkesë e madhe emocionale dhe ndjenja e humbjes së pronës.
Në një moment kulmor të debatit, Ngjela hedh një tezë provokuese: 'A e frenon apo e shton korrupsionin në gjykata ky akt?'. Përgjigja e tij është e prerë: 'Unë them se do ta frenojë. Frika ruan vreshtat.' Sipas tij, ashtu siç frika nga ndëshkimi parandalon krimin në përgjithësi, frika nga pasojat ekstreme mund të bëjë që zyrtarët e korruptuar të mendohen dy herë.
Nga kjo analizë, diskutimi zhvendoset te klima e përgjithshme e mosbesimit ndaj drejtësisë, e ushqyer nga vetë politika. Vëmendja përqendrohet te Sali Berisha, i cili, duke qenë vetë nën akuzë, sulmon vazhdimisht SPAK-un. Ngjela sqaron se ligji ia lejon një të pandehuri të thotë çfarë të dojë për mbrojtjen e tij, pasi konsiderohet në një gjendje emocionale jonormale. Megjithatë, ai thekson se këto deklarata, së bashku me ironitë e Kryeministrit Rama ndaj gjyqtarëve, krijojnë një mjedis toksik që minon autoritetin e sistemit të drejtësisë dhe mund të motivojë akte dhune nga qytetarët e revoltuar./dritare.net

















