
Nga Vasil Merko
Vrasja e një gjykatësi në sallën e gjyqit, gjatë momentit që po shqipton verdiktin është një akt i nxjerrë nga ferri. Shqipëria po përgojoset në mbarë median ndërkombëtare duke shkaktuar frikë. A thua se vendit tonë i mungojnë kronikat e zeza.
Gjyqësori me vendimet e tija është një udhënajë e gjatë, e ndërlikuar dhe e dhimbshme. Kombet e civilizuara e kalojnë këtë kalvar ngadalthi dhe durimplotë, nga njëra shkallë tek tjetra deri sa merret një vendim. Vetëgjyqësia është dukuri e te pazhvilluarve dhe faktikisht pavarësisht se nuk na pëlqen të na i përmendin, ne jemi ende të tillë.
Ndërkohë, brohoritjet internetike pro dhunës nuk përbëjnë përjashtim por vetëm konfirmim të gjendjes tonë alarmante. Një shikim brenda familjeve tona na nxjerr në pah plagën e madhe shoqërore. Mosbindjen ndaj ligjit. Përjashtimin e rrugëve ndërmjetësuese për gjetjen e një kompromisi dhe mungesën e pendesës.
Ende çuditem me gjithëfarësoj hamendësimet e pjesës të shëndoshë të shoqërisë që ende paskemi qenë dhe mbetemi të tillë. Ne dhunojmë fëmijët brenda shtëpisë, në kopsht dhe në shkolla. Ne dhunojmë kalimtarin dhe rrihemi e vritemi vetëm sepse ‘na pa shtrembër’. Ne rrahim dhe vrasim gratë vetëm për faktin se janë gra dhe duhet të na nënshtrohen dhe të na binden. Ne ende tërheqim nga analet e historisë kanune dhe rregullore që thjeshtë na vijnë për shtat, në mendjen tonë të ngrysur.
2030 për në BE është një sfidë që ne duhet ta arrijmë për të përmbysur padrejtësitë e kryera gjatë këtyre viteve ndaj gjithë të atyrë njerëzve të mirë të vendit tonë që i kemi kaluar për ‘leshko’ dhe të humbur… Që besojnë tek drita dhe jo tek errësira. Por që jo, nuk jemi gati. Duhet të ndryshojmë ne thelb, në ind dhe të përbuzim dhunën.
Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë këtë pellg të ndyrë që po na mbyt!/dritare.net

















