Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Evropa në alarm/ E nënvlerësuam Putinin! Paralajmërojnë Franca dhe Gjermania

Evropa në alarm/ E nënvlerësuam Putinin! Paralajmërojnë

Klimën që po formohet në Evropë lidhur me qëllimet e mundshme të Moskës e pasqyrojnë dy intervista në media gjermane: nga njëra anë ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë pohon prerë se vendi i tij duhet të përgatitet për skenarin më të keq në marrëdhënie me Rusinë, nga ana tjetër presidenti francez Emmanuel Macron pranon se Evropa e ka nënvlerësuar Vladimir Putinin.

“Gjermania duhet të përgatitet për skenarin më të keq.” Kështu deklaron në gazetën ekonomike Handelsblatt ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius. Në lidhje me incidentet e fundit me fluturime dronësh në Gjermani dhe në vende të tjera të NATO-s në Evropë, Pistorius vlerëson se “ushtria gjermane nuk mund të ndërhyjë kudo”, si dhe se “është shumë më vendimtare që kapacitetet përkatëse t’i zhvillojë policia e landeve bashkë me policinë federale, me synim përballimin e kërcënimeve në lartësi të ulëta.”

Sa i përket forcimit të industrisë gjermane të mbrojtjes, ministri gjerman i Mbrojtjes tha se qeveria e Merz po shqyrton mundësinë e një pjesëmarrjeje më të madhe shtetërore në industritë kritike të mbrojtjes, si prodhuesi i tankeve KDNS ose në ndërtimin e anijeve luftarake nga Thyssen-Krupp Marine.

Megjithatë, ai paralajmëron për një “klimë etjeje për fitim” në sektorin e industrisë së armatimeve për shkak të investimeve në fushën e mbrojtjes dhe hedh alarmin për një të ashtuquajtur “inflacion në fushën e sistemeve të armatimit”. Në të njëjtën intervistë ai përqendrohet edhe tek projekti i ligjit për shërbimin ushtarak në Gjermani, duke i hedhur përgjegjësinë Unions Kristiane për pengesa, ngurrim dhe “neglizhencë”.

Macron: Për një kohë të gjatë nënvlerësuam Rusinë

Në një intervistë ekskluzive, të thelluar për të gjitha çështjet, me gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung me rastin e 35-vjetorit të Ribashkimit Gjerman, presidenti francez Emmanuel Macron fokusohet te kërcënimet e reja për Francën, Gjermaninë dhe Evropën në përgjithësi.

“Jemi në një fazë ripajisjeje me armatim. Por për një kohë të gjatë nënvlerësuam Rusinë. Rusia mund të jetë ekonomikisht shumë më e dobët se Evropa, popullsia e saj po zvogëlohet dhe industria e saj të mos jetë gjithëpërfshirëse në inovacion. Megjithatë ajo prodhon armë, madje me ritme më të shpejta. Ne e nënvlerësuam kërcënimin. Nuk mund të kalosh nga një gjendje paqeje në një gjendje lufte nga një ditë në tjetrën. Jemi në një gjendje konfrontimi të përhershëm,” thotë presidenti francez.

Sipas tij, “Rusia është kërcënimi më i madh strukturor për evropianët. Ajo rrezikon sigurinë tonë kolektive përmes ndërhyrjeve në fushatat parazgjedhore, me sulme kibernetike, vrasje kundërshtarësh, me rrjedha migratore që përdoren si levë presioni. Rusia e vë në provë mbrojtjen tonë ajrore dhe ka ndryshuar doktrinën e saj bërthamore.”

Ai vë në dukje se “shoqëritë tona të hapura janë të pambrojtura ndaj luftës së informacionit” dhe shton ndër të tjera: “Jemi naivë nëse nuk pranojmë se ushtria sekrete ruse po përhapet brenda demokracive tona. Ajo përbëhet nga këta luftëtarë të vegjël e të paemër, që quhen bot-e digjitale. Ata manipulojnë demokracinë në Francë, Gjermani dhe Evropë.”

Sa i përket skenarit të mundshëm të rrëzimit të avionëve luftarakë rusë që shkelin hapësirën ajrore evropiane, Emmanuel Macron thotë: “Sipas doktrinës së paqartësisë strategjike, mund t’ju them se asgjë nuk përjashtohet.”/K.C/dritare.net