
Nga Skënder Minxhozi
Florian Binaj është një aktor i shkëlqyer humori. Ka bërë për të qeshur e ka argëtuar mijëra njerëz në dekadat kur mori pjesë në spektaklet e humorit. Ka bërë shumë më pak njerëz gjithsesi që të reflektojnë e të futen në mendime më vonë, kur ka dashur të flasë seriozisht dhe kur është munduar t’i japë një drejtim ndryshe karrierës së tij artistike. Ja që sot e gjejmë në një moment kulmor të kësaj karriere që është munduar të ndërtojë në vitet e fundit: si përfaqësues i opozitës në krye të një fushatë komplekse si ajo për bashkinë e Tiranës.
Kandidimi i Binajt si i pavarur, por i mbështetur nga PD e partia e Adriatik Lapajt, është jo vetëm një surprizë, jo vetëm një heqje dorë de facto nga gara e opozitës kryesore, jo vetëm një akt i improvizuar, por edhe një korsi e minutës së fundit e cila si çdo zgjedhje e minutës së fundit, është shpesh e destinuar të mos ketë sukses. Ra emri serioz i Ermal Hasimes, apo ai i Haçkajt dhe Çepanit. U gjet një kandidaturë me preokupimin e vetëm të të qenit sa më larg partive. Me shpresën se do të joshë elektoratin gri, por edhe më e rëndësishme se kjo, me synimin që në rast humbjeje, disfata të mos i faturohet PD dhe Berishës.
Florian Binaj vjen në këtë garë pa asnjë eksperiencë administrative apo menaxhimi. Ai është një artist i aftë por asgjë nuk na thotë dhe nuk na bën të besojmë së është gjithashtu një drejtues i aftë. Ka të gjithë ngarkesën antiqeveritare në qëndrimet e tij, e cila e bën të pranueshëm politikisht nga partitë që e mbështesin, por një hapësirë e madhe e komplekse si Tirana kërkon shumë më tepër sesa dëshira e mirë e aktivizmi për të qenë kundër qeverisë. Binaj nuk ka mbajtur kurrë në jetën e tij një post menaxhues me aq sa njihet cv-ja e tij, por ka qenë aktor në një spektakël humori, ka drejtuar një emision televiziv investigativ dhe ka interpretuar në një film.
Kushdo që është mërzitur me të njëjtën qeverisje prej 12 vitesh dhe e tejkalon me lehtësi detyrimin për të pasur në krye të punëve njerëz me eksperiencë, kjo e Binajt është një kandidaturë e pranueshme dhe pozitive. Në harenë që shkakton artikulimi i emrit të tij, në thyerjen që përbën kjo përzgjedhje nga praktika tradicionale ku për bashkinë Tiranë kanë kandiduar ndër vite emra si Rama, Basha e Veliaj, Florian Binaj ngjan si një shkulm i freskët ajri në një dhomë me ajër të ndenjur.
Por nuk është ar gjithçka shkëlqen. Puna e kryebashkiakut të Tiranës, me listën e gjatë të halleve e problemeve që ka ky qytet, ka shumë pak lidhje me marrjen lehtë e me hare naive të ofrimit të nje emri për të qeverisur një milion banorë.
Gjithsesi është e tepërt të analizosh në detaje një përzgjedhje që s’ka të bëjë shumë me bashkinë, sesa me sistemimin e halleve brenda opozitës. Ky kandidim ka pak të bëjë me substancën e garës dhe me sfidat konkrete të garimit për Tiranën. Binaj është një kandidat që i bën të gjithë të ndjehen mirë. Absolutisht të gjithë, përfshirë edhe Edi Ramën të cilit do t’i duhet të luftojë me sozinë e tij artistike deri në 9 nëntor. I bën të ndjehen mirë, fjala vjen, si një shoqëri gazmore njerëzish në një sallë varieteje humori në një fundjavë tiranase!
Bën të ndjehen mirë demokratët si fillim. Një garë vjeshtore si kjo e kryeqytetit, kaq pranë disfatës së thellë të 11 majit, është një gropë thithëse që mund ta bëjë edhe më komplekse gjendjen gri ku ndodhet sot PD. Nëse Binaj humbet zgjedhjet përballë Manastirliut, nuk do të ketë humbur formalisht asnjë zyrtar apo partiak i Partisë Demokratike, por një i pavarur të cilin partia e mbështeti nga jashtë. Kandidimi i të pavarurve ka qenë shumë miklues për Berishën, në një fushatë që ai vetë e ka paralajmëruar si të trukuar ende pa filluar, nga qeveria.
Paradoksalisht Binaj bën të ndjehen mirë bashkë me demokratët, edhe ata që ndodhen përballë, socialistët. Të cilët kanë nisur prej kohe fushatën dhe që kanë disa javë që godasin publikisht pavendosmërinë e opozitës për të gjetur një emër përballë ish-ministres së PS. Do të jetë e thjeshtë për ata që këtë dilemë ta shfrytëzojnë edhe gjatë fushatës, sidomos kur vallen që duhej ta hiqte Berisha, në fakt e hoqi Lapaj dhe partitë e reja opozitare me emrin e imponuar të Binajt.
Në fund fare, i kënaqur nga kandidimi duhet të jetë vetë Floriani. Përtej çdo ironie, ai është në të drejtën e tij legjitime për të ndjekur një kauzë publike dhe për t’u vetëofruar për një sfidë të madhe. Sfidë më të madhe se bashkia Tiranë nuk ka, pavarësisht rezultatit. Pasi për të kjo garë vlen të ndiqet më shumë nën sloganin olimpik “e rëndësishme është të marrësh pjesë”, sesa nën logot partiake dhe detyrimi për fitoren e bashkisë. E ku ka më mirë sesa një përballje ku nuk ke detyrimin të fitosh, por thjesht të zbresësh në fushën e lojës?!/javanews

















