Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

U vra në sallën e gjyqit, kush është gjyqtari Astrit Kalaja!

U vra në sallën e gjyqit, kush është gjyqtari Astrit Kalaja!

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur sot në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja është qëlluar për vdekje me armë zjarri gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.

Sipas burimeve zyrtare, autori i dyshuar ka hapur zjarr në sallën e gjyqit, duke lënë të vdekur gjyqtarin dhe plagosur dy persona të tjerë, babë e bir. Të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Policia ka ndërhyrë menjëherë në vendngjarje dhe ka arrestuar autorin e dyshuar, i cili aktualisht po merret në pyetje për të zbardhur motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Forca të shumta policore kanë rrethuar zonën, ndërsa hetimet janë në fazat e para.


Kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja
Astrit Kalaja ishte një prej figurave të njohura të sistemit të drejtësisë shqiptare, me një karrierë mbi 30 vjet në detyrën e gjyqtarit. Ai kishte shërbyer si gjyqtar që prej vitit 1993 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe më pas, prej vitit 2004, në Gjykatën e Apelit Shkodër.

Në vitet e fundit, Kalaja mbante funksionin e gjyqtarit pranë Gjykatës së Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm, ndërsa më herët kishte qenë edhe zëvendëskryetar i Gjykatës së Apelit Shkodër.

Ai njihej si një magjistrat me integritet profesional dhe etikë të lartë, i cili kishte kaluar me sukses procesin e vetingut, duke u konfirmuar në detyrë nga institucionet e rivlerësimit.

Kalaja kishte mbaruar studimet për drejtësi në Universitetin e Tiranës, ku kishte fituar edhe Masterin e Nivelit të Dytë në Shkenca Juridike Civile. Gjatë karrierës së tij, kishte ndjekur trajnime të shumta në Shkollën e Magjistraturës dhe ishte vlerësuar disa herë për profesionalizmin e treguar në vendimmarrje.

Përveç detyrës së përditshme në gjykatë, Astrit Kalaja kishte shërbyer edhe si anëtar i Kolegjit Zgjedhor, duke marrë pjesë në vendime me ndikim të rëndësishëm në çështje elektorale e politike.

Në analizat vjetore të gjykatave, Kalaja renditej ndër gjyqtarët më produktivë, me qindra çështje të shqyrtuara çdo vit si relator dhe anëtar trupi gjykues.

Megjithëse emri i tij është përmendur herë pas here në debate publike lidhur me çështje të pasurisë, ai ka dalë i pastër nga proceset e verifikimit dhe është vlerësuar pozitivisht nga institucionet përkatëse./K.C/dritare.bet