
Si e paralajmëroi babai i autorit, vrasjen e gjykatësit të Apelit!
Dritare.net
Një person i vrarë dhe dy të tjerë të plagosur është bilanci i ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit në Tiranë. Autori Elvis Shkambi 30 vjeç, tashmë i arrestuar dhe arma e të cilit është sekuestruar, ka patur një konflikt për pronën në gjyq. Babai i tij pretendonte një pronë në zonën e Shkodrës, sipas të cilit ia kishin uzurpuar. Konflikti për pronën zvarritet gjyqeve prej disa vitesh tashmë, madje Gjon Shkambi e kishte denoncuar historinë edhe në një emision investigativ.
Ja çfarë thoshte dy vite më parë babai i autorit, Gjon Shkambi!
“Jam këtu për të përgënjeshtruar një lajm që doli kundër meje. Unë kam një banesë, një pronë që e kam të regjistruar me dokumente të rregullta. Kam ndjekur të gjitha procedurat ligjore deri më sot. Jam në konflikt me disa banorë aty, të cilët i kanë pushtuar banesat prej vitesh dhe nuk duan të dalin. Përmbarimi i shtetit e ka marrë përsipër lirimin e banesave të mia. Më ka dorëzuar dy banesa që ishin bosh dhe në to ishin futur persona pa të drejtë. Procesi është ende në vazhdimësi për të liruar të gjitha banesat.
Këta persona ndërhyjnë sa herë që policia shkon për të ekzekutuar vendimin e përmbarimit, duke penguar lirimin e pronës, por megjithatë unë besoj se shteti do të funksionojë. Kam besim se drejtësia do të veprojë, kam shpresë edhe te zoti ministër që do të ndërhyjë dhe do të bëjë gjithçka për mirë.
U bëj thirrje edhe mediave që të mos japin lajme pa ditur të vërtetën. Unë jam ndjerë i nervozuar, ta them të drejtën, sepse kam parë shpifje e pavërtetësi në disa lajme. Dhe, nëse vazhdon kjo, do t’u kërkoj mediave edhe dëmshpërblim moral për këto lajme të pavërteta. Unë kam akt trashëgimie, akt dhurimi, akt pronësie, të gjitha dokumentet e rregullta. Pronën e kam të regjistruar dhe mund ta kontrolloni kudo që dëshironi, madje edhe ta çoni çështjen në prokurori nëse doni. Gjithçka është e ligjshme dhe e dokumentuar. Janë shprehur gjykata, prokurori dhe të gjitha institucionet më të larta të drejtësisë për këtë çështje.
Konflikti zgjat prej dhjetë vitesh. Këta persona janë aty qëkur unë privatizova banesat. I kam paguar shtetit të gjitha detyrimet, taksat, dhe i paguaj edhe sot. Ndërsa ata nuk paguajnë as qira, as mua, as shtetit. Disa madje kanë nxjerrë me qira banesat e mia. Prona është dhuratë nga babai im, me trashëgimi. E kam me akt trashëgimie, me testament dhe me të gjitha dokumentet e rregullta. Të gjitha janë në dispozicion dhe mund t’i verifikoni kudo që doni.
Këta ndërhyjnë te policia sepse kanë të afërt në polici që mos lejojnë përmbaruesit të bëjnë punën. Madje m’i kanë korruptuar edhe disa përmbarues të mi. Tani besoj se përmbarimi shtetëror do të funksionojë më mirë dhe më rregullisht. Unë nuk kam ndërhyrë vetë te ndërtesat. Siç e patë edhe ju, përmbarimi i shtetit më ka dorëzuar banesat me procesverbal zyrtar. Kam qenë prezent dhe është njoftuar policia. Janë dorëzuar dy banesa sipas vendimit të përmbarimit, jo nga unë personalisht. Data e fundit e ndërhyrjes së përmbarimit ishte më 29 qershor të këtij viti (2023). Herën e parë ishte më 20 qershor dhe herën e dytë më 29 qershor. Strukturat e policisë në Shkodër janë të lidhura dhe të korruptuara, sepse këta banorë kanë të afërm që punojnë aty. Për këtë arsye, nuk po zbatohet vendimi i gjykatës dhe po pengohet përmbarimi i shtetit. Unë e kam lënë çështjen në duart e përmbarimit shtetëror. Kryetari i zyrës më ka thënë se do ta ndjekin deri në fund. Kam bërë edhe kallëzim penal në prokurorinë e Shkodrës për komisaratin, por prokuroria ma ka pushuar çështjen. Siç e dini edhe ju, ata janë të lidhur mes tyre. Gjithsesi, unë e kam ankimuar vendimin e pushimit dhe do t’i drejtohem gjykatës për të kërkuar përgjegjësi ndaj policisë që nuk mbështeti përmbarimin. Të gjitha dokumentet i kam gati dhe do t’ia paraqes gjykatës. Këto janë defekte të policisë që do të na dërgojë ne në vetëgjyqësi, si mua, ashtu edhe këta banorë të paligjshëm. Këta kanë edhe dy tri shtëpi dhe lëshojnë me qira banesat e mia.", tha Gjon Shkambi./K.C/dritare.net

















