Na ndiqni edhe në

Opinione

Defekti ynë historik: Pse shqiptarët nuk arritën të ndërtojnë shtet serioz?

Defekti ynë historik: Pse shqiptarët nuk arritën të

Nga Nexhmedin Saqipi

Një nga defektet më të mëdha historike të shqiptarëve qëndron në faktin se shumë rrallë kemi punuar për interesat tona kombëtare. Historikisht jemi munduar të dukemi të mirë para të huajve, ndërsa ndaj vetvetes kemi treguar dobësi, mungesë qëndrimi dhe mungesë ideali. Shpesh jemi shitur për asgjë. Kemi rënë në kurthet e atyre që nuk na kanë dashur, por na kanë përdorur për interesat e tyre politike, shtetërore e kulturore.

Kemi luftuar për të forcuar pozitat e të huajve, por nuk kemi ditur të ndërtojmë themelin e dinjitetit dhe identitetit tonë kombëtar. Edhe kur kemi fituar, kemi humbur ekuilibrin: nuk kemi ditur të jemi të qëndrueshëm. Shumë të butë, shumë ekstremë, shumë të nënshtruar, por asnjëherë normalë në vijën tonë kombëtare.

Nga perandoria ilire te kurthet e Romës

Në kohën kur shqiptarët ishin paganë, kishin fuqinë e perandorisë ilire. Por edhe atëherë ranë në kurthe dhe e humbën, si në rastin e Teutës që për arsye të vogla humbi pushtetin. Pas 250 vjet luftë me Romën, shqiptarët u shpartalluan dhe në vend të qëndresës u shndërruan në bashkëpunëtorë të pushteteve të huaja.

Me dhunë e me shpatë u konvertuan në krishterim. E pranuan fenë, por nuk u bënë as besimtarë të vërtetë, as qytetarë të ndërgjegjshëm. Në çdo kohë, ose kanë tepruar, ose kanë mbetur me mangësi të thella. Kjo ka bërë që të humbasin ekuilibrin dhe të pranojnë gjëra jo nga bindja, por nga frika dhe interesat personale.

Midis Lindjes dhe Perëndimit – gjithmonë të ndarë

Kur krishterimi u nda në dy orientime, lindor dhe perëndimor, shqiptarët përsëri nuk arritën të konsolidohen. Ranë në kurthet e të huajve dhe u keqpërdorën për interesa të mëdha politike e fetare. Në luftën mes pushteteve, shqiptarët u bënë viktimë, duke ndryshuar besimin, kulturën dhe vetëdijen jo nga bindja, por nga presioni apo frika.

Shpesh kemi treguar mentalitet të tepruar: duke dashur të bëhemi më katolikë se Papa, më myslimanë se Muhamedi, më evropianë se evropianët, madje edhe më sllavë se sllavët. Ky nënshtrim dhe ekzagjerim ka shkatërruar mundësinë për të krijuar një identitet të pastër kombëtar e shtetëror.

Ndërkohë që të huajt përfituan…

Është paradoksale: shqiptarët kanë qenë pjesë udhëheqëse e perandorive të mëdha – Bizantit, Papës në Romë, kalifateve arabe – madje kanë dhënë figura që kanë ndikuar në Evropë, Amerikë e gjetkë. Kanë ndihmuar në themelimin e shteteve të tjera, përfshirë Serbinë, Greqinë e Maqedoninë. Por vetë nuk kanë arritur të ngrejnë një shtet të qëndrueshëm, me identitet të qartë kombëtar.

Sot, e njëjta histori përsëritet

As sot realiteti nuk është shumë ndryshe: gazetarë pa integritet, politikanë të korruptuar e pa personalitet, artistë pa identitet, institucione të shkatërruara. Shpesh i shërbejmë sërish të huajve, ndërsa ndaj vetvetes tregojmë mungesë përgjegjësie.

Kush do të na ndreqë, nëse jo vetë?

Askush nuk do të na përmirësojë nëse nuk e marrim vetë këtë përgjegjësi. Koha është të kthehemi te vetvetja, të lëmë pas hakmarrjet dhe dëmtimin e fqinjëve. Të ngremë vlerat njerëzore mbi dhunën e mashtrimin.

Vetëm me tolerancë, mirëkuptim dhe transparencë mund të ndërtojmë një shtet serioz dhe një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Nëse nuk e bëjmë këtë, historia jonë e hidhur do të mbetet një rreth vicioz që përsëritet brez pas brezi.

(Autori është publicist, kryetar i shoqërisë civile dhe drejtues i Shoqatës së Gazetarëve “Etika” për Luginën e Preshevës)