Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Përkthim në kohë reale me AirPods Pro 3

Përkthim në kohë reale me AirPods Pro 3

Një revolucion për udhëtarët, por edhe një paralajmërim për të ardhmen e gjuhëve

Për gati pesë dekada, një roman fantastiko-shkencor humoristik ka bërë që lexuesit të ëndërrojnë se kanë një peshk në vesh. Në librin “Udhërrëfyesi i autostopistit në Galaktikë” të Douglas Adams, personazhet mund të kuptonin çdo gjuhë falë një krijese të vogël (dhe fatkeqësisht imagjinare) të quajtur peshku Babel. “Nëse e vendos peshkun Babel në vesh, mund të kuptosh menjëherë çdo gjë që të thuhet në çdo gjuhë,” shkruante Adams.

Tani, ajo ëndërr e fantashkencës po i afrohet realitetit, me AirPods Pro 3 të Apple që sjellin përkthim të drejtpërdrejtë në kohë reale. Sipas kompanisë, përdoruesit do të mund të dëgjojnë përkthimin në vesh, ndërsa transkriptet do të shfaqen në ekranin e telefonit — pa pasur më nevojë për një “peshk alien” në vesh.

Në pamje të parë, kjo mund të hapë një epokë të re të udhëtimit pa pengesa gjuhësore: duke ndryshuar mënyrën si udhëtojmë, si porosisim në restorante, si bëjmë miq në vende të huaja apo si kërkojmë rrugën në një qytet të panjohur.
Por, a do të vijë kjo “rrjedhshmëri e menjëhershme” me një çmim të fshehtë?

Një risi, por jo e përsosur

Reagimet e para kanë qenë të mahnitura.The New York Times, e cilësonte risinë e Apple si “një nga shembujt më të fortë se si inteligjenca artificiale mund të përdoret në mënyrë praktike për të përmirësuar jetën e njerëzve”.

Megjithatë, teknologjia është ende larg përsosmërisë. Një testim nga CNET zbuloi se softueri herë pas here fuste fjalë të gabuara, madje edhe fjalë banale. Të tilla probleme janë të zakonshme në versionet e para të teknologjisë, por me përditësimet e ardhshme, gabimet pritet të zbuten.
Kjo ka nxitur garën mes gjigantëve të tjerë teknologjikë për të nxjerrë mjete të ngjashme sa më shpejt.

Si funksionon përkthimi në AirPods
• Funksioni është i disponueshëm vetëm në llogaritë Apple jashtë Bashkimit Europian.
• Gjuhet aktuale: anglisht (Britani & SHBA), frëngjisht, gjermanisht, portugezisht (Brazili) dhe spanjisht (Spanja).
• Së shpejti do të shtohen: mandarinishtja, japonishtja, koreanishtja dhe italishtja.
• Funksionon me AirPods Pro 2 dhe modelet më të reja, duke shfaqur përkthimin në vesh dhe në ekran.

Një botë pa kufij gjuhësorë

Edhe pse është në fazat e para, kjo risi mund të inkurajojë miliona njerëz të udhëtojnë më shpesh e më lirshëm. Një sondazh i vitit 2025 nga platforma Preply tregoi se një e treta e amerikanëve zgjedhin qëllimisht destinacione ku nuk do të kenë probleme me gjuhën. Nga ata që udhëtojnë në vende jo-anglishtfolëse, 25% pranuan se janë përpjekur të komunikojnë duke folur “më ngadalë dhe më fort” — zakonisht pa shumë sukses. Ndërkohë, 17% thanë se shmangin restorantet lokale dhe zgjedhin zinxhirë të njohur amerikanë për të mos u përballur me menu të pakuptueshme.

Përkthimi i menjëhershëm mund ta ndryshojë këtë realitet: duke ndihmuar njerëzit të kalojnë përtej “kurthit të turizmit masiv” dhe të lidhen me tregtarë, artizanë apo njerëz lokalë që nuk flasin mirë anglisht. Një mjet i tillë mund të gjallërojë ekonomitë vendase dhe të nxisë shkëmbimet kulturore.

Kur teknologjia shpëton ditën

Gracie Teh, një ekzekutive financiare, kujton se si mbeti e bllokuar në Japoni, pa mundur të shpjegonte në anglisht ku duhej dërguar valixhja e saj. Punonjësi i hotelit nuk pranoi as të përdorte Google Translate. “Kalova orë të tëra pa ditur nëse do të kisha rroba për ditët e ardhshme,” rrëfen ajo. “Sikur të kisha AirPods me përkthim në kohë reale, do të më kishte shpëtuar.”

Kur përkthimi bëhet çështje jete a vdekjeje

Keqkuptimi i një fjale – për shkak të theksit apo slengut – mund të jetë i padëmshëm në një restorant, por fatal në aviacion. Një studim amerikan tregoi se ndryshimet midis thekseve, si ai jugor dhe ai i Nju Jorkut, shpesh e vështirësojnë komunikimin e pilotëve dhe kontrollorëve. Përkthimi me ndihmën e AI mund të ndihmojë edhe në situata të tilla, megjithatë kërkohet ende trajnim njerëzor për ta bërë dialogun sa më të qartë.

A do të ndalojmë së mësuari gjuhë?

Ashtu si kalkulatorët ndryshuan mënyrën si e mësojmë matematikën, përkthimi me inteligjencë artificiale mund të ulë dëshirën për të mësuar gjuhë të reja. Kjo mund të krijojë sfida për kompanitë që ofrojnë kurse gjuhësore, por edhe për vetë mënyrën si lidhemi me botën.

Ying Okuse, themeluese e platformës LingoInn, që organizon homestay në Kinë, Tajvan dhe Singapor, e sheh ndryshe: “AI tutorët janë gjithnjë e më të popullarizuar, por përvoja reale në terren mbetet e pazëvendësueshme. Ka një ndryshim të madh midis asaj që mund të të mësojë AI dhe asaj që përjeton kur jeton me njerëz vendas.”

Ajo thekson se AI nuk mund të përkthejë gjuhën e trupit: një ngritje vetulle, një shenjë me dorë apo një fjalë fyese miqësore që shërben si “ngjitës shoqëror” mes britanikëve dhe australianëve. “Gjuha është më shumë se fjalë,” thotë ajo. “Është lidhje, kulturë dhe ndjenjë.”

Mësimi i gjuhëve mbetet një pasuri e mendjes

Sipas Bernardette Holmes, MBE, një prej mbrojtëseve më të forta të shumëgjuhësisë, të mësuarit e një gjuhe sjell përfitime të fuqishme njohëse: përmirëson kujtesën, përqendrimin dhe fleksibilitetin e trurit.
Teknologjia e përkthimit në kohë reale ka vlerë, pranon ajo, “por nuk mund të zëvendësojë kënaqësinë e të kuptuarit dhe të krijimit të kuptimit në një gjuhë të re”.

Përkthimi i menjëhershëm me AirPods Pro 3 është një hap gjigant drejt një bote pa barriera gjuhësore — një ëndërr që dikur dukej e pamundur. Por ndërsa teknologjia na sjell më afër, ajo rrezikon të na largojë nga përvoja e pasur njerëzore që ofron mësimi i një gjuhe: ndjesia, muzika e fjalëve dhe kuptimi që lind nga përpjekja për të komunikuar vetë./dritare.net