
Bisedimet në Egjipt, ekipin e Hamasit e drejton njeriu që i shpëtoi atentatit izraelit!
Dritare.net

Me bisedimet indirekte midis Hamasit dhe Izraelit që pritet të nisin së shpejti në Egjipt, është bërë publike përbërja e delegacioneve që do të marrin pjesë në takimin e rëndësishëm në Sharm el-Sheikh.
Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump.
Nga ana e Katarit, rolin e ndërmjetësuesit do ta ketë ministri i Jashtëm Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, një figurë kyçe në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se delegacioni izraelit do të kryesohet nga ministri i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer.
Ndërkohë, delegacioni i Hamasit do të udhëhiqet nga Khalil al-Hayya, një nga figurat e larta të grupit që mbijetoi një atentat izraelit në Doha të Katarit në fillim të muajit të kaluar.
Sulmi ajror në kryeqytetin e Katarit shkaktoi vdekjen e pesë anëtarëve të Hamasit dhe një pjesëtari të forcave të sigurisë vendase. Megjithatë, Hamasi deklaroi se udhëheqësit e tij të lartë, përfshirë al-Hayyan, i mbijetuan sulmit./E.P-dritare.net

















