
Çfarë shkruajnë mediat ndërkombëtare për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja!
Dritare.net
Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën pas të shtënave me armë gjatë një seance gjyqësore, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe ka shkaktuar reagime të shumta.
Si e raportojnë mediat ndërkombëtare!
Associated Press (AP) raportoi se autori i ngjarjes, një burrë 30-vjeçar me inicialet E. Sh., u arrestua menjëherë pas incidentit dhe arma e përdorur u sekuestrua nga policia. AP thekson se dy persona të tjerë, baba dhe djalë, u plagosën gjatë ngjarjes dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me një konflikt pronësie.
The Guardian e ka cilësuar ngjarjen si një akt të paprecedentë dhune në sistemin gjyqësor shqiptar dhe citon reagime të autoriteteve, përfshirë kryeministrin Edi Rama, i cili e ka konsideruar ngjarjen një tragjedi të madhe.
Balkan Insight raporton se ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin juridik shqiptar dhe ka nxitur debate mbi sigurinë e gjyqtarëve dhe masat mbrojtëse në gjykata. Balkan Insight nënvizon rëndësinë e një hetimi të plotë dhe të pavarur për ngjarjen.
Omni.se Suedia, thekson se dy personat e plagosur janë baba e bir dhe se ngjarja ka ndodhur gjatë një seance për një çështje pronësie. Media raporton se autori është arrestuar menjëherë dhe incidenti ka shkaktuar reagime të forta në Shqipëri dhe jashtë saj.
Al Arabiya (Emiratet e Bashkuara Arabe) njofton se ky është një akt i rëndë dhune që ka ndodhur brenda një institucioni të drejtësisë, duke tronditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe opinionin ndërkombëtar. Gazeta thekson nevojën për përforcimin e sigurisë në institucionet gjyqësore.
Ngjarja ka nxitur një reflektim mbi sigurinë e gjyqtarëve dhe nevojën për masa më të forta mbrojtëse brenda gjykatave shqiptare. Autoritetet kanë premtuar një hetim të plotë dhe të pavarur për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten./K.C/dritare.net

















