Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama në Walk21: Çdo metër i fituar për këmbësorët është një sukses

Rama në Walk21: Çdo metër i fituar për

Kryeqyteti shqiptar është bërë këtë javë mikpritës i edicionit të 25-të të konferencës ndërkombëtare Walk21, një nga ngjarjet më prestigjioze në botë për zhvillimin e qyteteve të qëndrueshme dhe miqësore me këmbësorët. Në këtë forum marrin pjesë ekspertë dhe liderë nga 54 vende, të cilët diskutojnë politikat që e bëjnë ecjen një zgjedhje të përditshme të jetës urbane.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Edi Rama vuri në dukje transformimin e madh që ka pësuar Tirana gjatë dekadave të fundit, duke kujtuar periudhën kur në vend qarkullonin vetëm rreth 5 mijë automjete dhe turizmi ishte minimal. Ai theksoi se sot Shqipëria pritet të kalojë 12 milionë vizitorë në vit, ndërsa sfida e re është rikthimi i hapësirave publike për qytetarët.

Rama kujtoi periudhën e tij si kryebashkiak, kur “u desh të merrej mbrapsht qyteti” duke shembur mbi 10 mijë ndërtime të paligjshme dhe duke mbjellë mbi 55 mijë pemë. Ai u ndal edhe te nisma e re për heqjen e strukturave të përkohshme që kanë zënë trotuaret dhe hapësirat publike, duke theksuar se çdo ndërtues tashmë është i detyruar të kontribuojë në “fondin e gjelbër”.

Kryeministri njoftoi gjithashtu bashkëpunimin me urbanistin spanjoll Salvador Rueda, ideator i modelit të famshëm të “superblloqeve” në Barcelonë, që kufizon qarkullimin e makinave dhe rrit hapësirat për këmbësorët e komunitetet lokale.

“Çdo metër që fitojmë për këmbësorët është një sukses për t’u festuar,” tha Rama, duke shtuar se kujdesi për qytetin është kujdes për shëndetin dhe jetën e njerëzve.

Konferenca Walk21 do të vijojë në Tiranë me sesione dhe panele të shumta mbi transportin e qëndrueshëm, gjelbërimin urban dhe sigurinë në hapësirat publike./L.F-dritare.net