
Jo ambicie, por mision! Brunilda Mersini flet pas kandidimit për Bashkinë e Vlorës
Dritare.net
Pas shpalljes si kandidate e Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës, Brunilda Mersini shprehu emocionin dhe angazhimin e saj për qytetin dhe qytetarët. Në një reagim publik në rrjetet sociale, Mersini theksoi se kandidatura e saj nuk është një garë personale, por një detyrë dhe mision për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Vlorën.
“Ky nuk është një udhëtim ambicieje personale, por një angazhim i thellë për të dëgjuar çdo zë, për të ndërtuar ura bashkëpunimi për një të ardhme më të mirë të qytetit tonë,” shkroi Mersini. Ajo falenderoi qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë angazhimeve të saj si deputete dhe në takimet në rrugët e qytetit.
Ja postimi i Brunilda Mersinit:
"Ky nuk është një udhëtim ambicieje personale, por një angazhim i thellë për të dëgjuar çdo zë, për të ndërtuar ura bashkëpunimi për një të ardhme më të mirë të qytetit tonë.
Çdo takim me ju, që më besuat në kandidaturën si deputete, çdo bisedë në rrugët e Vlorës, çdo dorë e shtrirë me mirësi, më ka dhënë forcën për të ecur përpara. Keni qenë pranë meje në çdo hap, me besim, me kurajë dhe me atë ndjenjë të thellë përkatësie që vetëm vlonjatët dinë ta japin.
Të jesh përfaqësuese e këtij qyteti është më shumë se detyrë, është mision shpirtëror. Dhe sot, ky mision merr një përgjegjësi të re: të punoj, me gjithë energjinë, përkushtimin dhe dashurinë time, për të pasur një Vlorë që i ngjan njerëzve të saj të ndershëm, punëtorë, krenarë dhe plot dritë.
Faleminderit Kryeministrit Edi Rama për besimin e treguar.
Faleminderit drejtuesit politik, Bledi Çuçit, për besimin dhe vlerësimin!
Faleminderit strukturave të Partisë Socialiste për mbështetjen e vazhdueshme, dhe mbi të gjitha, juve, qytetarëve të Vlorës, që më keni dhënë arsye çdo ditë për të besuar më shumë te forca e bashkimit dhe e dashurisë për qytetin tonë.
Ju premtoj se do të jem gjithmonë pranë jush, duke dëgjuar, duke punuar, dhe duke e vënë zemrën në çdo gjë, që të gjithë bashkë do të bëjmë.
Për mua, kjo nuk është thjesht një garë politike, është një rrugëtim zemre për Vlorën.
Me mirënjohje dhe vendosmëri të palëkundur!
Së bashku për Vlorën tonë, qytetin që jeton në çdo zemër vlonjate.", shkruan Mersini./K.C/dritare.net

















