
Me gjykatësin u vra dhe një pjesë qytetërimi ndërtuar me sakrificë
Dritare.net
Nga Alba Malltezi
Nuk nisi ditën e vrasjes vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja. Në të vërtetë ka nisur dekada më parë. Fillimisht ua shkatërruan shtëpinë, më pas reputacionin duke futur mes drejtësisë njerëzit më të dyshimtë të vendit. Ditë për ditë, si pika e ujit që gërryn shkëmbin (një koinçidencë dhe me mbiemrin e vrasësit). Kur si shoqëri arrijmë fillimisht të deligjitimojë, e deri të vrasim gjykatësit, do të thotë se po sulmojmë vetveten. Drejtësia është themeli i rendit civil dhe akoma nuk po e kuptojmë që goditja e saj është minimi i besimit në paktin social që mban të bashkuar një popull.
Më shumë se ligji, Shteti, një gjykatës duhet të mbrohet nga ndërgjegja jonë kolektive. Po Shteti duhet të krijojë, veç rojeve të armatosura dhe sistemit të sigurisë, një kontekst politik që nuk duhet t’i lërë vetëm. Institucionet duhet të mbrojnë hapur, prerë dhe publikisht organet e drejtësisë nga fushata delegjitimimi. Ndërsa ne, qytetarët, me mjegullën në sy, me tymin që na serviret përditë, duhet të kemi aftësinë të vendosim se kush administron drejtësinë nuk është armik, por një shërbëtor i të mirës së përbashkët. Për këtë arsye quhemi dhe Qytetarë, sepse një qytetar ndihmohet dhe nga gjykatësit për të ruajtur rendin e qytetërimit të mirë.
U bënë dekada që Drejtësinë e konisderojmë si pengesë të punëve tona e jo si garanci. Kemi toleruar dhe normalizuar paligjshmërinë sepse na ka leverdisur, dikush edhe nga frika dhe nga intimidimet e egra të studiuara dhe të menduara në tavolinat e asaj politike që dalë nga dalë po jep shpirt. Kemi humbur besimin tek Shteti duke bërë të lulëzojë logjika fisnore e klanore, korrupsioni apo pushteti individual.
Po edhe vetë Drejtësia duhet të kuptojë, me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, se ka ende shumë punë për të bërë për të mbajtur të fortë dhe të drejtë shtyllën e saj kurrizore. Një ofendim, një shpifje, një intimidim ndaj saj, është një rrugë e sigurtë drejt rrëzimit të kështjellës së mezindërtuar të Drejtësisë.
Duam të quhemi një shoqëri që vret gjykatësit e saj? Është më mirë të nisim të shohim veten në pasqyrë e të dallojmë qartë se po vrasim kë na kujton se kemi limite dhe faje. Se duhet të jemi të civilizuar dhe Qytetarë./shqiptarja.com

















