
Kujt i takon ligjërisht mandati bosh i Manastirliut: Xhemal Qefalisë apo Gjylametit?
Dritare.net
Nga Kreshnik Spahiu
Dorëheqja e deputetes Ogerta Manastirliu, e cila vendosi të garojë për Bashkinë e Tiranës, nuk është vetëm një zhvillim politik, por edhe një test i qartë i parimit të rendit ligjor në sistemin zgjedhor shqiptar. Çështja pritet të jetë një betejë në Gjykatën Kushtetuese: Kush e merr mandatin e lënë bosh në Kuvend?
Gjylameti apo Qefalia.
Sipas Neneve 152 dhe 153 të Kodit Zgjedhor (Ligji Nr. 10019, datë 29.12.2008, i ndryshuar):
• Neni 152, pika 3: “Në rast dorëheqjeje, vdekjeje ose paaftësie për të ushtruar detyrën, vakanca e një deputeti plotësohet automatikisht nga kandidati i radhës në listën e partisë, siç rezulton nga vendimi për shpalljen e mandateve.”
• Neni 153, pika 1: “Renditja e kandidatëve në listat e partisë pasqyron votën e qytetarëve dhe nuk mund të ndryshohet nga partia pas shpalljes së rezultatit.”
Ky kuadër ligjor është i qartë: mandati nuk mund të mbetet bosh, nuk mund të cenohet nga preferenca e brendshme e partisë dhe duhet të plotësohet sipas renditjes së listës që ka votuar populli.
Një precedent i njohur është rasti i deputetit Arjan Ndoja i cili fitoi të drejtën e marrjes mandatit për shkak të renditjes dhe nuk u pengua nga kuotimi gjinorë.
Megjithë ankesat dhe prerendimet e kandidates Andia Ulliri për kapërcim renditje dhe prioritet gjinor të femrave, KQZ dhe Kolegji vendosën të mos ja pranojnë sepse PD kishte plotësuar % e nevojshme për përfaqsimin e grave.
Një nga interpretimet e mundshme që mund të ngrihet është: a ndikon kuota gjinore për të përcaktuar se kush merr mandatin e lënë bosh? Në këtë rast, PS ka 19 mandate në total, por 7 janë të listës së hapur, ku janë zgjedhur dy deputete gra: Denaj dhe Xhacka.
Nëse kuota llogaritet vetëm për listën e hapur, numri minimal i grave që duhet të përfaqësohen është mbi kuotën minimale.
Rrumbullakuar poshtë, rezulton 2 gra, pra kriteri gjinor është tashmë i plotësuar me Denaj dhe Xhacka. Kjo do të thotë që mandati i lënë bosh nuk pengohet nga kuota gjinore dhe i takon automatikisht kandidatit të radhës, Xhemal Qefalia.
Ky trajtim është i ngjashëm me vendimin e KQZ për PD dhe Andia Ullirin, ku kërkesa për të ndryshuar kandidatin për shkak të kuotës gjinore u refuzua dhe mandati iu dha kandidatit të radhës sipas listës.
Analizë matematikore e kuotës dhe renditjes
• Lista e hapur PS: 7 mandate
• Numri i grave të zgjedhura: 2 (Denaj, Xhacka)
• Numri minimal i grave sipas kuotës 1/3: 7 ÷ 3 ≈ 2.333 → rrumbullakuar poshtë = 2
• Përfundimi: kuota gjinore është tashmë e plotësuar, prandaj vakanca nuk ndryshon renditjen. Gjithashtu në listën e mbyllur të PD afro gjysma e deputeteve janë gra.
Pra, çdo tentativë për t’i dhënë mandatin një kandidati tjetër, si Blerina Gjylameti, do të ishte në kundërshtim të hapur me ligjin dhe precedentët.
Dorëheqja e Manastirliut dhe plotësimi automatik i mandateve sipas listës janë më shumë se një detyrim formal. Ato:
• Ruajnë integritetin e votës së qytetarëve.
• Sigurojnë rendin ligjor dhe stabilitetin politik.
• Parandalojnë manovrat e brendshme që mund të cënojnë besimin në institucionet demokratike.
Ligji është i prerë: vakanca e lënë nga Ogerta Manastirliu plotësohet nga kandidati i radhës në listën e PS, Xhemal Qefalia. Precedentët (Arjan Ndoja, Andia Ulliri) dhe llogaritjet e kuotës gjinore janë të qarta dhe nuk lënë hapësirë për interpretime të tjera.
Gjithsesi ka ligj por ka dhe “Maliq”
Deri më sot shkopi i “Maliqit” ka treguar se bën çudira në listën e deputetve por a do mbaj KQZ dhe Kolegji Zgjedhor dy standarte të ndryshme për të njëjtat praktika?

















