
Policia ndryshon akuzën ndaj Elezajt: Jo aksidentale por plagosje e rëndë me dashje!
Dritare.net
Edison Elezaj i cili plagosi mbrëmjen e shkuar 3 persona në një festë është shpallur në kërkim nga policia. Në njoftimin zyrtar të dytë për këtë ngjarje, policia ka rënduar akuzën për Elezajn.
Në njoftimin e parë policia tha se kjo ngjarje ishte aksidentale.
Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. E., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, dhe si pasojë e saj janë dëmtuar shtetasit e mësipërm.
Ndërsa në njoftimin e dytë për shpalljen në kërkim të autorit, ka rënduar akuzën ndaj Edison Elezajt, në plagosje të rënde me dashje. Njoftimi i policisë:
“Në vijim të veprimeve të shpejta hetimore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, është bërë i mundur dokumentimi i plotë i autorësisë së ngjarjes, dhe si rezultat:
- u shpall në kërkim shtetasi E. E., 32 vjeç, për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje", parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal;
- u arrestuan shtetasit A. D., 38 vjeç, dhe D. Z., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal.
Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, si dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit pistoletë TT, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Pas kryerjes së krimit nga shtetasi E. E., dy të arrestuarit, i kanë marrë armën e zjarrit dhe më pas e kanë fshehur atë, me qëllim pengimin e zbulimit të veprës penale dhe të autorit të saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë”./L.F-dritare.net

















