Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga fjala te festa/ Si u kthye dollia shqiptare në model kulturor

Nga fjala te festa/ Si u kthye dollia shqiptare në model kulturor

Dollia shqiptare ka shumë forma, por ajo më e veçantë dhe më përfaqësuese është “dollia zabërzançe”, që vjen nga zemra e Skraparit, kështu deklaron profesor Sherif Bundo, studiuesi i njohur i këtij riti dhe autor i monografisë “Dollia shqiptare”, e para vepër shkencore e këtij lloji në Shqipëri.

Në një intervistë në DritareTV, Bundo shpjegoi se dollia zabërzançe, që e ka marrë emrin nga fshati Zabërzan në Skrapar, është forma më e përpunuar, më demokratike dhe më shpirtërore e këtij zakoni tradicional shqiptar.

“Kjo është një dolli që nuk rëndon, por e ngre tryezën në nivelin e vlerësimit dhe respektit të ndërsjellë. Ajo i jep mundësi gjithkujt të ngrejë një fjalë me peshë, pa pasur nevojë të jetë autoritar apo i moshuar,” – u shpreh Bundo.

Ai thekson se në këtë formë të dollisë ka dy kryetarë të sofrës: një nga të zotët e shtëpisë dhe një përfaqësues nga miqtë, të cilët lejojnë, pas dollisë së tyre, që edhe të tjerët të shprehen lirisht. Edhe të rinjtë, nëse janë përfaqësues të një linje gjaku apo miqësie, mund të ngrejnë dolli, kjo e bën dollinë zabërzançe një akt të barazisë shpirtërore, një model unik në botën shqiptare.

Vendet me dollitë më të veçanta në Shqipëri
Në monografinë e tij dhe gjatë kërkimeve shumëvjeçare në terren, profesor Bundo ka identifikuar disa zona ku dollia ruhet në formën më të pastër dhe të pasur shpirtërisht:

-Skrapari, me Zabërzanin si epiqendër, ku dollia është e strukturuar, përfshirëse dhe lidhet ngushtë me kultin e mikpritjes.

-Mokra dhe Gramshi, ku haset e ashtuquajtura “dollia e ashpër” apo “dollia vertikale”, me shumë shëndete dhe një strukturë të centralizuar të fjalës.

-Përmeti dhe Kolonja, me dolli të buta dhe plot urti, që ndërthuren me këngë dhe tregime të shkurtra.

-Zagoria dhe Labëria, ku dollia lidhet ngushtë me poezinë popullore dhe figuracionin gjuhësor.

-Berati dhe Roshniku, ku dollia është kthyer në atraksion turistik, i përkthyer në disa gjuhë për të huajt.

“Dollia është një pasuri që s’ka nevojë për mikrofon. Mjafton një gotë, një tryezë dhe një zemër shqiptare që di të thotë një fjalë të bukur,” – përmbyll Bundo.

Sipas tij, dollia zabërzançe duhet të shërbejë si model për edukimin kulturor, për turizmin e qëndrueshëm dhe për trashëgiminë shpirtërore të vendit. Ai propozon që kjo formë të përfshihet në festivale lokale, në ekspozita kulturore dhe të promovohet përmes dokumentarëve e botimeve ndërkombëtare.

“Skrapari s’ka vetëm raki, ka edhe shpirt. Dhe ky shpirt flet përmes dollisë.”/K.C/dritare.net