
Ministri Vengu: Operacion nga ajri për të shpëtuar banesat dhe bizneset në jug
Dritare.net
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e rënduar nga zjarret në jug të vendit, ku flakët kanë përfshirë zonat e Borshit, Piqerasit dhe Sasajt. Ai ka bërë me dije se aksioni nga ajri ka rinisur në orët e para të mëngjesit me dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po punojnë për të neutralizuar vatrat aktive që kërcënojnë banesa dhe biznese.
“Në Borsh, Piqeras dhe Sasaj ka rinisur aksioni nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore, për të neutralizuar zjarret që kanë kërcënuar banesat dhe bizneset e zonës, për shkak të erës së fortë që favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve gjatë orëve të para të mëngjesit,” shkruan Vengu.
Ministri bën të ditur gjithashtu se gjatë natës, Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit e stacionuar në Borsh siguruan perimetra rreth banesave për të shmangur dëme të mëdha, ndërsa Policia e Shtetit dhe emergjencat civile ndihmuan në evakuimin e banorëve dhe pushuesve.
“Policia e Shtetit dhe punonjësit e emergjencave civile ndihmuan banorë dhe pushues të evakuohen nga zonat më të rrezikuara, duke shoqëruar drejt sigurisë 40 prej tyre,” njofton ministri.
Ai shton se operacioni për shuarjen e zjarreve vijon edhe sot, me zjarrfikësit e Himarës dhe Forcat e Armatosura që bashkërendojnë punën në terren me ekipet ajrore për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm për jetën dhe pronën.
“Zjarrfikësit e Himarës dhe Forcat e Armatosura vijojnë operacionin në terren duke bashkërenduar me ekuipazhet e helikopterëve për të eliminuar çdo rrezik,” përfundon reagimi i ministrit të Mbrojtjes./K.C/dritare.net

















