
Ministri Gonxhja në Preshevë: Kultura, urë bashkimi
Dritare.net
Në kuadër të Panairit të Parë të Librit Shqip në Preshevë, një ngjarje historike për shqiptarët e Luginës, Komuna e Preshevës mirëpriti sot në një takim zyrtar Ministrin e Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë, z. Blendi Gonxhja.
Kryetarja e Komunës, znj. Ardita Sinani, shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të rëndësishme, që konsolidon bashkëpunimin mes institucioneve shqiptare dhe komunitetit shqiptar në Luginë. Në fokus të diskutimeve ishte nevoja për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore, si dhe zgjerimi i projekteve kulturore e arsimore që ndërlidhin Preshevën me Tiranën zyrtare.
“Hapat e vegjël me përkushtim të madh sjellin ndryshime të mëdha,” u shpreh znj. Sinani, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes institucionale nga Shqipëria për nismat kulturore në Preshevë.
Vizita e Ministrit Gonxhja përkoi me zhvillimin e Panairit të Librit “Presheva flet”, ku për herë të parë, autorë, botues e intelektualë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën në Preshevë për të festuar librin dhe gjuhën shqipe. Ngjarja u zhvillua gjithashtu në nder të figurës së Nënës Terezë – simbol i përbashkët i humanizmit dhe identitetit shqiptar.
Kjo vizitë, dhe gjithë aktivitetet që po zhvillohen në Preshevë, janë dëshmi se bashkimi kulturor dhe kombëtar është i mundur përmes dijes, librit dhe bashkëpunimit institucional, pavarësisht kufijve politikë./L.F-dritare.net

















