
Hapet Panairi i Parë i Librit Shqip në Preshevë
Dritare.net
Në një atmosferë të mbushur me emocion dhe krenari kulturore, në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” u hap për herë të parë Panairi i Librit Shqip në Preshevë, një ngjarje historike që vendos librin dhe gjuhën shqipe në epiqendër të jetës kulturore të Luginës.
E organizuar nga Komuna e Preshevës, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd, ngjarja shënon një moment historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kryetarja e Komunës, znj. Ardita Sinani, shprehu krenarinë e saj për organizimin e kësaj ngjarjeje që bashkoi shqiptarët nga të gjitha trojet:
“Jam thellësisht krenare që sot, në krye të Komunës së Preshevës, pata nderin dhe përgjegjësinë për të organizuar një ngjarje që e bëri bashkë mbarë shqiptarinë–nga veriu në jug, nga lindja në perëndim,” – u shpreh znj. Sinani në një postim publik.
Panairi i Librit u zhvillua në nder të figurës së shenjtë të Nënës Terezë, si simbol i humanizmit dhe bashkimit. Pjesë e kësaj ngjarjeje ishin kryetarë bashkish nga Republika e Shqipërisë, kryetarë komunash nga Maqedonia e Veriut, si dhe deputetë dhe përfaqësues të institucioneve të shumta shqiptare.
Megjithatë, mungesa e zyrtarëve nga Kosova, për shkak të ndalimit nga autoritetet serbe, hodhi dritë mbi pengesat që ende ekzistojnë ndaj shqiptarëve në Luginë. “Pikërisht kjo situatë ia shtoi edhe më shumë vlerën pranisë së gjithë të tjerëve. Ky solidaritet e hijeshoi Preshevën, e fuqizoi zërin tonë,” theksoi kryetarja Sinani.
Në fjalën përshëndetëse, ajo theksoi edhe rolin e figurave të shquara shqiptare, duke përmendur se Presheva flet më fort përmes librit, përmes dijes dhe përmes dashurisë për gjuhën shqipe, duke shpresuar që kjo ngjarje të kthehet në një traditë të përvitshme kulturore kombëtare./L.F-dritare.net

















