Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndryshon Kodi Etik për mësuesit. Ja rregullat e reja për veshjen dhe sjelljen

Ndryshon Kodi Etik për mësuesit. Ja rregullat e reja për veshjen

Të gjithë mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar do të duhet të respektojnë një sërë rregullash të reja të sjelljes, si në mjediset e shkollës ashtu edhe jashtë saj. Ministria e Arsimit ka hartuar Kodin e ri të Etikës, i cili përcakton standarde të qarta për integritetin, përgjegjshmërinë dhe sjelljen e personelit mësimor, përfshirë edhe përdorimin e rrjeteve sociale.

Sipas këtij Kodi, mësuesit duhet të tregohen të kujdesshëm në paraqitjet e tyre publike, duke u siguruar që postimet, fotot apo videot të jenë në përputhje me etikën profesionale dhe të mos cënojnë imazhin e edukatorit.

“Praktikat më të mira evropiane tregojnë se një kornizë e qartë etike ndihmon mësuesit të përballen me sfidat profesionale me integritet, veçanërisht në një realitet arsimor që ndryshon me shpejtësi për shkak të teknologjisë. Mësuesi duhet të ruajë gjithmonë figurën e tij si model edukues, si brenda ashtu edhe jashtë shkollës, të nxisë sjellje të përgjegjshme dhe të edukojë nxënësit për përdorimin e sigurt të platformave online”, thuhet në dokumentin e Ministrisë së Arsimit.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe veshjes në punë. Mësuesit duhet të paraqiten me pamje të rregullt, të pastër dhe profesionale, duke shmangur aksesoret që bien në sy apo shkaktojnë zhurmë.

“Stolitë dhe elementet shtesë në veshje duhet të jenë të thjeshta e të përshtatshme për mjedisin shkollor, duke evituar bizhuteritë e mëdha, me ngjyra të forta ose që prodhojnë tinguj, pasi mund të shpërqendrojnë nxënësit gjatë mësimit”, përcaktohet në Kodin e Etikës.

Po ashtu, neni 5 i dokumentit thekson se mësuesit duhet të respektojnë privatësinë dhe dinjitetin e nxënësve, duke shërbyer si model i sjelljes dhe i zgjidhjes paqësore të konflikteve. Mësuesit me përvojë, sipas këtij Kodi, kanë gjithashtu detyrimin të mbështesin dhe udhëzojnë kolegët e rinj në procesin arsimor./K.C/dritare.net