Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mark Rutte mesazh për Konferencën në Tiranë: Tastiera është armë lufte!

Mark Rutte mesazh për Konferencën në Tiranë: Tastiera

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përmes një videomesazhi të dërguar në Konferencën e 3-të të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, që po zhvillohet në Tiranë, theksoi rëndësinë strategjike të sigurisë kibernetike për aleancën dhe njoftoi ngritjen e një Qendre të Integruar Kibernetike të NATO-s në Belgjikë.

“Sot tastiera është armë lufte. Ajo shënjestron shoqëritë tona çdo ditë. Aktorë shtetërorë dhe jo shtetërorë po përpiqen të prishin mbrojtjet tona dhe të ndërhyjnë në shërbimet qeveritare,” – tha Rutte.
Në fjalën e tij, ai vuri në dukje se hapësira kibernetike është tashmë një fushë operative e NATO-s, ku aleatët janë stërvitur dhe kanë kryer operacione konkrete. Sipas tij, çdo shkelje e kësaj hapësire mund të çojë në aktivizimin e Nenit 5 të Traktatit të Aleancës, i cili parashikon mbrojtjen kolektive.

Rutte njoftoi se në Belgjikë do të ngrihet një qendër e re e integruar për kibernetikën, e cila do të informojë komandat e NATO-s për kërcënimet dhe rreziqet në hapësirën dixhitale, përfshirë infrastrukturën kritike civile dhe ushtarake.

Ai rikujtoi gjithashtu vendimin e marrë gjatë samitit të NATO-s në Hagë, ku u ra dakord për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5%, si për përmirësimin e kapaciteteve tradicionale ushtarake, ashtu edhe për investime në mbrojtjen kibernetike.

“Kjo do të thotë se mbrojtja jonë do të bëhet më e fortë dhe më rezistente ndaj kërcënimeve kibernetike,” – theksoi Sekretari i Përgjithshëm.
Rutte vlerësoi konferencën e mbajtur në Tiranë si një forum të jashtëzakonshëm për ndarjen e praktikave më të mira ndërmjet vendeve aleate, duke nënvizuar se NATO mbetet një aleancë vlerash të përbashkëta, që promovon reagim të shpejtë dhe të koordinuar në hapësirën kibernetike.

“Në NATO askush nuk qëndron vetëm. Të gjithë qëndrojmë së bashku në këtë epokë dixhitale kundër çdo kërcënimi që synon të na dëmtojë,” – përfundoi Rutte./K.C/dritare.net