
Mandati i katërt/ Tri porositë e Ramës për socialistët!
Dritare.net
Gjatë festës së fitores së Partisë Socialiste këtë pasdite në Pallatin e Brigadave, Kryeministri Edi Rama ka dhënë tre porosi të rëndësishme për nisjen e mandatit të katërt qeverisës. Përpara një audience të përbërë nga deputetë, drejtues dhe mbështetës të PS-së, Rama vendosi thekse të qarta mbi përgatitjen politike, organizimin elektoral dhe forcimin e brendshëm të partisë.
Porosia e parë e Ramës ishte nisja e Akademisë Politike për deputetët e rinj të Partisë Socialiste. “Deputetët e rinj duhet të përgatiten siç duhet për përgjegjësitë që i presin. Do të ndjekin një proces formimi politik në akademinë që do të nisim së shpejti,” u shpreh ai.
Porosia e dytë iu drejtua drejtuesve politikë të qarqeve, të cilët, sipas Ramës, duhet të fillojnë që tani përgatitjet për zgjedhjet lokale. Ai theksoi se puna në terren dhe kontaktet me qytetarët duhet të intensifikohen për të siguruar fitore të reja në nivel vendor.
Ndërsa porosia e tretë kishte të bënte me nevojën për disiplinë, unitet dhe përkushtim brenda radhëve të Partisë Socialiste. Rama u bëri thirrje anëtarëve të PS-së të jenë të përulur në fitore dhe të përgatitur për sfidat që i presin.
Kjo festë, përveçse një moment celebrimi, u kthye në një platformë udhëzuese për mandatin e ri, ku Rama konfirmoi se Partia Socialiste do të vazhdojë me ritëm të lartë reformat dhe angazhimin politik në të gjitha nivelet./K.C/dritare.net

















