
Lamtumirë Ilaria Sula, përcillet në banesën e fundit studentja shqiptare që u vra nga i dashuri në Itali!
Dritare.net
Ansa
Kortezhi mortor që shoqëronte arkivolin e Ilaria Sulës u nis nga shtëpia në Viale dello Stadio, në Terni, drejt varrezave të qytetit, rreth një kilometër larg, ku u mbajt një ceremoni e shkurtër për lamtumirën e fundit për të renë e vrarë në Romë.
Në krye të kortezhit të gjatë, ku marrin pjesë qindra njerëz, mes tyre edhe shumë të rinj, janë familja e vajzës.
Të pranishëm ishin edhe rektorja e Universitetit La Sapienza (ku studionte Ilaria), Antonella Polimeni, nënkryetari i bashkisë Terni Riccardo Corridore, prefektja Antonietta Orlando, kryetarja e bashkisë së Pergia, Vittoria Ferdinandi.
Të përlotur, ata që po e përcillnin për në banesën e fundit Ilarian, mbanin në duar trëdafila të bardhë. Pas arkivolit një vajzë mban një foto, në të cilën viktima e re shfaqet duke buzëqeshur.
Portat e godinës ku banon familja u mbushën me mesazhe dhe lule në kujtim të të resë.
Nëna e Ilarias, e përballur me një dhimbje të papërshkrueshme, është parë jashtë banesës duke thirrur emrin e vajzës së saj, përpara se të merrej nga të afërmit për shkak të gjendjes së rënduar emocionale.
Ndërkohë hetimet për vrasjen e Ilarias vijojnë, me agjentët që po përpiqen të ndërtojnë dinamikën e saktë të ngjarjes, me ish të dashurin e saj vrasës Mark Samson, që ka thënë në dëshminë e tij se vrasjen dhe fshehjen e trupit i ka kryer i vetëm, pa ndihmën e prindërve. Megjithatë deklarata duket se nuk i ka bindur hetuesit, të cilët kanë vendosur në hetim edhe nënën e filipinasit. Prokuroria në Romë u ka ndaluar lëvizjen jashtë Italisë të dy prindërve të Samson për shkak të rrezikut të arratisjes së tyre.
Së shpejti siç njoftojnë mediat italiane, nëna e filipinasit do të dëshmojë dhe do të merret në pyetje. Kronologjia e ngjarjes sipas dëshmive të deritanishme nuk i bind hetuesit të cilët dyshojnë se Nors Mazplan nëna e 23-vjeçarit vrasës ka bashkëpunuar në fshehjen e trupit të Ilarias. Disa pamje të cilat policia ka zbuluar së fundmi, ku Mark Samson duket për herë të dytë në vendin ku hodhi trupin e Ilarias mund të rindërtojnë tërësisht dinamikën e ngjarjes sipas hetuesve./L.F-dritare.net

















