
Koçiu i përgjigjet opozitës: Policia nuk ka faj për vrasjen e gjyqtarit
Dritare.net
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, iu përgjigj sot akuzave të opozitës lidhur me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, duke mohuar çdo përgjegjësi të Policisë së Shtetit. Ndërsa deputeti Flamur Noka tentoi të ndërhynte, Koçiu theksoi se çdo veprim i policisë ka qenë në përputhje me ligjin dhe se nëse ndonjë punonjës do të kishte qenë përgjegjës, ai do të ishte vënë në pranga.
Ministrja i drejtoi kritikën opozitës për gjuhën linçuese ndaj gjyqtarëve dhe nënvizoi se tensionet politike dhe akuzat e pabazuara krijojnë ngarkesë politike, duke sqaruar se përgjegjësia për ngjarjen nuk i përket asaj, por është rezultat i retorikës së opozitës.
“Kush është nxitësi dhe urrejtës dhe njeriu më i pështirë që mund të ekzistojë në të gjithë këtë politikë parlamentare. Meqë u dëgjova të gjithëve dhe keni merakun e njoftimit publik. U sqaroj dhe njëherë gjuha e përdorur duke më etiketuar sikur kam gënjyer dhe mashtruar. Një pjesë e juaja janë juristë dhe e dinë se nëse do të kishte përgjegjësi një polic i shtet, sot do ishte në arrest. Policia ka kryer veprimet në përputhje të plotë ligjore, i qëndroj nga mëngjesi në darkë dhe shikoni bazën ligjore, që është miratuar që në 2016, ka prodhuar sot rezultate konkrete. Nuk i pëlqen opozitës, është duke treguar përgjegjësi në çdo vendimmarrje, produkt i kësaj reforme janë ndarjet e përgjegjësisë. Përgjegjësja për vrasjen nuk jam unë, por ju me këtë gjuhë që përdorini. Është e kotë që më tregon me gisht, nuk më intimdon, unë jam një grua më detyrë dhe duke e përdorur këtë gjuhë ja ku e keni dëshminë, që kjo gjuhë e juaj ka krijuar këtë ngarkesë politike. Trup të kesh nga mëngjesi në darkë, se me kaq vite sa ke në Kuvend duhet ta kishe ndryshuar narrativen politike”, tha Koçiu./K.C/dritare.net

















