Ja porositë e Ramës për kryebashkiakët e vendit!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me kryetarët e bashkive të vendit për të folur mbi punët prioritare të përcaktuara nga qeveria në ccdo sektor dhe zbatimin e tyre në nivel vendor. Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me kryetarët e bashkive të vendit, ku u prezantuan drejtimet kryesore të punës së qeverisë dhe prioritetet ndërsektoriale që kërkojnë zbatim të koordinuar në nivel vendor. Në fokus të diskutimit ishin përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, rritja e kapaciteteve të bashkive dhe avancimi i projekteve konkrete në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri theksoi nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor, duke nënvizuar rolin kyç të bashkive në realizimin e reformave dhe në përmbushjen e objektivave strategjikë.
Kryeministri Edi Rama: Ne e kemi filluar një proces me të gjitha ekipet drejtuese të ministrive për të parë situatën lidhur me prioritetet, me problematikat dhe për të pasur një lexim të plotë të çdo sektori në kontekstin e kësaj faze të qeverisjes dhe për këtë arsye menduam që të bëjmë edhe këtë takim me ministrin e Pushtetit Vendor, i cili skuadrën e punës së tij ka faktikisht ju dhe të gjithë ata, të cilët janë të angazhuar në nivelin vendor.
Unë do të bëj një kalim të shpejtë të gjërave që janë diskutuar apo janë vënë në rrugë apo janë përcaktuar si prioritete, sepse janë gjëra të cilat ju takojnë të gjithëve, të gjitha bashkive, dhe në kontekstin e punëve të Shqipërisë janë gjëra që kanë një rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët.
Edhe këtu kam një listë, jo sipas rëndësisë, por sipas kohës në të cilën këto gjëra janë vendosur në agjendën e punës sonë të përbashkët. Ashtu sikundër, këtu në këtë listë janë edhe disa gjëra që një pjesë të cilave, Ervini i preku dhe që kanë të bëjnë me hapat e mëtejshëm në punën tonë të përbashkët.
Kemi përgatitur një projekt shumë të rëndësishëm për të mbështetur pushtetin vendor, projekt i cili udhëhiqet nga ministri Demo për të vënë në dispozicion të bashkive një flotë të re automjetesh, të cilat do të duhet të ndihmojnë të gjitha proceset që kanë të bëjnë me pastrimin e kanaleve dhe me punën e domosdoshme parapërgatitore për sezonet e mëtejshme, në mënyrë që të lehtësohen, qoftë proceset e ujitjes, qoftë pasojat që vijnë nga përmbytjet. Është një projekt që do ta finalizojmë në muajt në vijim, me një mbështetje domethënëse financiare nga qeveria e Emirateve të Bashkuara dhe në bazë të disa kritereve të thjeshta do të bëhet edhe alokimi i kësaj flote në territor, duke natyrisht i kaluar këto automjete në përdorim të bashkive.
Një pikë tjetër e rëndësishme është puna që ka nisur për të finalizuar sistemin e adresave, duke kërkuar nga të gjithë ju që të angazhoheni shumë seriozisht në atë pjesë të punës që i takon bashkive dhe duke kërkuar njëkohësisht që bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme për këtë proces të udhëhiqet dhe të koordinohet nga Ministri i Pushtetit Vendor. Është bërë një punë domethënëse në këtë drejtim, por duhet finalizuar dhe finalizimi kërkon edhe angazhimin e individëve; ju e dini shumë mirë këtë gjë dhe për këtë arsye, në pikat e planit të punës do të ketë edhe një pikë të posaçme për të penalizuar çdo individ që nuk bashkëpunon me pushtetin vendor për t’u bërë pjesë e sistemit të adresave.
Një tjetër komponent i rëndësishëm i punës tuaj dhe i punës sonë të përbashkët është çdo vit e më tepër mbrojtja nga zjarri dhe jemi shumë të vetëdijshëm për mangësitë e trashëguara në logjistikën që lidhet me zjarrfikëset.
Për këtë arsye kemi po ashtu, miratuar një projekt të paraqitur nga Ministri i Pushtetit Vendor, lidhur me mobilizimin e një financimi të nevojshëm dhe, duke shfrytëzuar kapacitetet e kompanisë që është një shoqëri e përbashkët shtetërore dhe private e krijuar rishtas në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes, do të fillojmë të prodhojmë dhe të vëmë në dispozicion të bashkive automjetet zjarrfikëse që janë të domosdoshme dhe do të bëhen gjithmonë e më të domosdoshme, duke pasur parasysh që fenomeni i zjarreve, sidomos në sezonin e pikut të nxehtësisë, nuk po vjen duke u zbutur, por po vjen duke u agravuar.
Një tjetër pikë e rëndësishme e projektit të ministrit të pushtetit vendor për të modernizuar më tutje bashkitë ka të bëjë edhe me laboratorët e dedikuar për teknologjinë në klasat e shkollave, të cilat sot që flasim janë mbi 300, ndërkohë që me programin e qeverisë do të shkojnë në 1000. Ama nuk mund të jenë vetëm laboratorë të mësimit të teknologjisë për nxënësit gjatë orës së mësimit, por duhet të jenë edhe laboratorë të mësimit të teknologjisë pas orës së mësimit dhe për këtë duhet patjetër angazhimi dhe puna e drejtpërdrejtë e bashkive për të organizuar një sistem ku t’u jepet mundësi fëmijëve, t’u jepet mundësi më të rinjve që të kenë akses në këto laboratorë.
Një tjetër element është mungesa e një angazhimi uniform të plotë në të gjithë territorin të bashkive për sa i përket procesit të legalizimeve. Është e domosdoshme që bashkitë të angazhohen në këtë proces dhe, ndërkohë, kemi lënë një detyrë për institucionin e kadastrës që, në bashkëpunim me çdo bashki, por këtu duhet angazhimi juaj, të ndërtojnë planet prioritare të legalizimit në mënyrë që të kalendarizojmë procesin, ta bëjmë atë më të drejtë, më transparent, më të parashikueshëm për aplikuesit, duke vendosur një sistem ku të përcaktohet se ata që kanë aplikuar më parë janë ata që kanë radhën për të marrë përgjigje përpara atyre që kanë aplikuar më pas, për shembull.
Po ashtu, të përcaktohen zonat prioritare, sepse ju i dini zonat prioritare dhe sipas përcaktimit të zonave prioritare të informohet edhe komuniteti që do të fillojë, domethënë në këtë fazë është kjo zonë, në këtë fazë është ajo zonë, në këtë fazë është ajo zonë; pra të kemi një punë të përbashkët dhe të koordinuar më të mirë. Dhe këtu duhet patjetër që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike për kadastrën.
Ka shumë ankesa për kadastrën, por nga gjithë analiza e bërë, një pjesë e madhe e ankesave për mosmarrjen e shërbimit vijnë si rezultat i moskryerjes së aplikimit në mënyrë korrekte ligjore dhe, për ta kryer aplikimin në mënyrë korrekte ligjore, duhet një njohuri juridike dhe këtë njohuri juridike pastaj njerëzit detyrohen të shkojnë ta kërkojnë tek noterët, që u marrin tarifa e të tjera. Nuk ka asnjë problem që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike enkas për shërbimin e kadastrës dhe të legalizimeve. Është diçka që do të lehtësojë maksimalisht qytetarët në kuptimin e drejtë të mënyrës se si bëhet një aplikim për legalizim ose për ato shërbime të kadastrës që kërkojnë aplikime pak më të komplikuara sesa aplikimi më i thjeshtë dhe këtë gjë do ta ndjekë ministri i pushtetit vendor. Ndërkohë, njësitë administrative përgjithësisht i kanë hapur zyrat ose, më saktë, e kanë hapur aksesin për t’ju shërbyer qytetarëve për E-Albania dhe edhe kjo është diçka pozitive. Por edhe në këtë aspekt, nga informacioni që kam marrë nga ministri i pushtetit vendor, dhe nuk dua këtu të filloj të bëj shembuj se ky e ai, jo të gjithë bëjnë gjënë e duhur dhe jo në të gjitha bashkitë kjo gjë është e organizuar mirë për qytetarët dhe për këtë arsye qytetarët detyrohen pastaj që, ndërkohë që shërbimin e E-Albania e kanë falas, të shkojnë dhe të paguajnë dikë që t’i ndihmojë që të aksesojnë E-Albania-n.
Një tjetër element i rëndësishëm i gjithë punës së kësaj periudhe është paketa e maleve. Më vjen mirë që ka pasur një progres.Disa bashki jo vetëm që kanë bërë progres me procedurat, por tanimë kanë plotësuar edhe atë objektivin bazë të 10 projekteve për t’u nënshkruar edhe për të kaluar në procesin e marrjes së lejes. Kjo është diçka pozitive. Vetëm në njërën nga bashkitë, se s’po përmend emra, janë 5 milionë euro të llogaritura nga 10 investimet e para në paketën e maleve nga persona që janë në emigracion dhe që e kanë marrë këtë mesazh, siç e kanë marrë shumë të tjerë, sepse besoj ju e keni ndjekur që interesi është i madh.
Pjesa që ka të bëjë me muzetë: Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka nisur një proces shumë të bukur për të muzealizuar godinat historike. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që në çdo bashki, shumicën dërrmuese të paktën, se mbase nuk është rasti për qytetet që janë krijuar rishtas, por edhe aty mund të gjenden struktura interesante për këtë, por në çdo bashki që ka në zemër të vet një qytet të vjetër apo fshatra të vjetër që vijnë nga më larg, ka shtëpi me vlera të rëndësishme për trashëgiminë kulturore, të cilat janë të pabanuara ose janë në rrënim e sipër. Dhe ajo që po bëjmë me Ministrinë e Kulturës është marrja e tyre nga shteti përmes një procesi ligjor shpronësimi dhe muzealizimi i tyre.
Në Tiranë kemi një sërë të tillash që kanë hyrë në këtë proces.Kemi disa edhe jashtë Tiranës. Kam parë listën e ministrisë.Angazhohuni. Shikojeni, përcaktojini si kandidatura për të hyrë në këtë proces. Ndajeni me Ministrinë e Kulturës dhe me Institutin e Monumenteve të Kulturës për të klasifikuar vlerat e tyre dhe planifikoni se për çfarë mund të muzealizohen. Kemi shumë gjëra që mund të ekspozojmë. Jemi një vend që ka në zemrën e aktivitetit të vet turizmin. Jemi një vend që kemi fatin që nuk e kemi turizmin të përqendruar vetëm në një det apo në një mal, por e kemi në të gjithë territorin.
E keni parë vetë: çdo cep i Shqipërisë ka turistë, sepse në çdo cep të Shqipërisë ka gjëra interesante, por duhet të rrisim atraksionet dhe, ashtu siç duhet ta muzealizojmë trashëgiminë tonë, sepse duhet ta ruajmë dhe ta promovojmë, për shembull, ashtu mund të ekspozojmë edhe të tjera gjëra; mund të kemi muze të vegjël për produktet.
Kur vijnë turistët në Shqipëri ose vizitorët ose miqtë, një nga pyetjet që bëjnë të gjithë është: cila është pija karakteristike shqiptare? Dhe ne themi rakia, por ne nuk e kemi një muze të rakisë. Ne nuk e kemi një muze të verës shqiptare. Ne nuk e kemi një muze të vajit shqiptar të ullirit, që ka lloj-lloj variantesh. Edhe rakitë janë me lloj-lloj variantesh. Edhe veraështë me lloj-lloj variantesh. Dhe i solla këto si shembuj për të thënë që mund të shkohet në çdo drejtim që është me interes.
Identifikoni shtëpitë që kanë potencialin të bëhen muze, që duhen shpëtuar nga rrënimi, që plotësojnë kriteret për t’u klasifikuar si vlerë në rrezik e trashëgimisë kulturore, sepse janë të pabanuara dhe, ndërkohë, me njerëz të ditur në qytetet tuaja, por edhe me ndihmën e ministrit, por edhe me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, por edhe në komunikim me njëri-tjetrin, ndërtoni një plan muzealizimi të shtëpive të vjetra.
Një tjetër element që kemi këtu është edhe ngritja e nivelit të emergjencave civile në rrafshin vendor. Kështu që, në këtë aspekt, ministri i pushtetit vendor, së bashku me ministrin e mbrojtjes, kanë marrë detyrën që të punojnë dhe të bashkëpunojnë me ju për ta fuqizuar kapacitetin vendor në raport me emergjencat civile.
Jemi duke punuar edhe për të riparë sistemin e mbledhjes së mbeturinave, gjë që e kemi bërë me dije për sa i përket aspektit të përpunimit të mbetjeve, por në këtë rast flas për mbeturinat që përgjithësisht janë një problem, sidomos në sezonin turistik, në hapësirat e bashkive që nuk janë zona urbane. Dhe për këtë aspekt është e domosdoshme që të ngrihet një task-forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor gjë për të cilën është ngarkuar Ministri i Mjedisit së bashku me Ministrin e Pushtetit Vendor për të ndërtuar një plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë nga sensibilizimi masiv deri tek hapat që duhen ndërmarrë, duke pasur parasysh edhe një sërë shembujsh pozitivë që kemi.
Ministri foli për shkollat dhe për vënien në dispozicion të Agjencisë së Planifikimit përsa i përket mbështetjes së bashkive me projekte nga arkitektët e huaj që punojnë në Shqipëri. Ata janë shumë të gatshëm, flas këtu për projekte pra pa pagesë.
Ndërkohë që ne po bëjmë gati një ndryshim të rëndësishëm ligjor përsa i përket planifikimit dhe zhvillimit të territorit që fillon nga Agjencia. Pra sot kemi tre agjenci, tre struktura, kemi planifikimin, kemi zhvillimin e territorit, kemi edhe strehimin veç, do të bashkohen bashkë sepse do duhet t'i vëmë një theks të veçantë strehimit jo thjesht social por edhe të përballueshëm. Janë në pamundësi për të marrë një shtëpi dhe për këtë do të organizojmë, po punojmë për disa programe të veçanta siç jemi zotuar në fushatën e zgjedhjeve të vitit të shkuar, por ajo që është e rëndësishme për këtë bisedë është që do të rajonalizojmë shërbimin e urbanistikës për ju.
Me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe me Ministrinë e Mbrojtjes kemi bërë një diskutim të gjërë e të gjatë lidhur me krijimin e një ure bashkëpunimi për rezistencën e infrastrukturës kritike dhe këtu, në rastin konkret kam parasysh edhe infrastrukturën mbrojtëse në kanalet, argjinaturat, hidrovore, të cilat janë themelore për të mbrojtur tokat, për të mbrojtur shtëpitë nga përmbytjet si edhe patjetër për të siguruar në mënyrë të vazhdueshme mirëfunksionimin e gjithë këtij sistemi. Dhe këtu kemi nevojë për ju në një aspekt që na duhet dhe do duhet që t'ia përcillni ministrit të Pushtetit Vendor, analizën tuaj për pikat e dobëta të sistemit të mbrojtjes. Edhe njëherë ne kemi të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë dhe kemi të dhënat e krizave që kanë kaluar më përpara dhe të nevojave të bëra me dije më përpara. I kemi të gjitha këto, por gjithsesi duke pasur nga ju në një format shumë të thjeshtë pikat e dobëta dhe me prioritete, kjo na ndihmon që të planizojmë më mirë financimin dhe investimet për ndërhyrje, të cilat do të rriten në mënyrë shumë të ndjeshme si rezultat i këtij formatimi që ju thashë më parë. Pra duke futur në punë edhe Ministrinë e Mbrojtjes, qoftë në aspektin e financimit qoftë në aspektin e forcave, kemi diskutuar dhe kemi bërë një plan për të rritur kapacitetet e brendshme që shumë gjëra nga këto që janë të nevojshme të bëhen drejtpërdrejtë nga forcat xheniere të Republikës së Shqipërisë. Dua t'ju informoj që kemi rënë dakord, jo më larg se sot, kemi finalizuar një diskutim me Bankën e Shqipërisë, me bankën e nivelit të dytë për të rilançuar programin e garancisë sovrane dhe të kredisë së linjës së kredisë së Bankës së Shqipërisë, duke kaluar në një nivel tjetër në aspektin e gamës së ndërmarrjeve.
Pra linja e parë e kredisë ishte e fokusuar kryesisht tek fshati, tek bujqësia, tek agroturizmi, agropërpunimi, tani do të jetë për të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që duan të rriten. Pra ai programi dyfishon ndërmarrjen tënde, do të hyjë shpejt në në fushë me një paketë incentivash përsa i përket agropërpunimit, agrobiznesit, ku njerëzit mund të bëjnë shumë, por ku kanë nevojë për mbështetje qoftë në aspektin e hartimit të projektit, aplikimin, por edhe pastaj partneritetin me bashkinë.
Nga ana tjetër, ndërmarrjet e tjera besoj që kanë më shumë kapacitet vetë për të kërkuar më shumë. Unë kam takuar vazhdimisht ndërmarrje të vogla që janë nëpër qytetet tuaja. Një pjesë të tyre i kam njohur edhe nëpërmjet podkastit edhe realisht kanë potencial që të zhvillohen, kanë nevojë për financim. Ne dot'ia vëmë në dispozicion financimin dhe kurdoherë dhe sidoqoftë që bashkia mund të angazhohet, është mirë që të angazhohet.
Foli Ervini për parkimet. Kemi marë marrë vendimin të bëjmë një program kombëtar për zhvillimin e logjistikës së parkimeve dhe problematika e madhe që kanë komunitetet mesidomos qytetet e mëdha me blloqet e banimit, që në mes të bllokut është bërë një parkim tip xhungle se X apo Y thotë unë kam pronën këtu bëhet një marrëveshje ndërtohet një parkim për së mbari aty dhe fitojnë të gjithë, fiton dhe komuniteti aty, sepse bëhet një parkim që kthehet edhe në lulishte sipër, kthehet edhe në vendqëndrim sipër dhe të gjitha këto parkime duhet të jenë parkime me arkitekturë që të jenë edhe nga pikëpamja arkitektonike një vlerë e shtuar për qytetin, kur bëhet fjalë për parkime që dalin mbi sipërfaqe. Pra jo thjesht është një kat, dy kate apo tre nën tokë, por edhe një e dy, e tre sipër.Këto janë kryesisht gjërat që doja të ndaja me ju duke shtuar domosdoshmërinë për të forcuar strukturën e arsimit profesional.
Do ju lutesha shumë të gjithëve që të jeni aktivë në këtë aspekt dhe përssa i përket konvikteve për arsimin profesional, ne kemi bërë një program të veçantë, kemi filluar disa ndërhyrje. Nëse ne ndërtojmë, siç kemi filluar konvikte cilësore, pra duhen identifikuar prej jush nevojat për shkolla të tjera profesionale dhe nga ana tjetër edhe nevojat për konvikte të shkollave profesionale. Këto punë që folëm dhe punët e tjera t'i bëjmë dhe t'i bëjmë të gjitha, t'i bëjmë sa më mirë.
Ok, shumë faleminderit!"