Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Historia e pabesueshme e Pal Mëlyshit dhe vrasja e Bardhok Bibës!

Historia e pabesueshme e Pal Mëlyshit dhe vrasja e Bardhok Bibës!

Historia e Mirditës së pasluftës është e mbushur me ngjarje dramatike, konflikte të ashpra dhe figura komplekse që lëviznin mes heroizmit dhe tradhtisë. Ish-kryetari i Komitetit të Mirditës, Viktor Doda, i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku, ka ndarë kujtime të detajuara për dy nga personazhet më emblematikë të kësaj periudhe: Bardhok Bibën dhe Pal Mëlyshin.

Doda kujton se si Bardhok Biba, sekretari i parë i partisë, vendosi që qendra administrative të transferohej në Rrëshen, por u vra pabesisht në vitin 1949 nga ato që njiheshin si 'bandat e maleve'. Kjo vrasje shërbeu si pikënisje për një nga historitë më të pabesueshme të Sigurimit të Shtetit, atë të Pal Mëlyshit. "Ai ishte betuar mbi varrin e Bardhok Bibës se do të merrte hak," tregon Doda. Mëlyshi, një i ri rreth 22-23 vjeç, u infiltrua si agjent i Sigurimit brenda vetë bandës që kreu vrasjen.

Skenari, i ngjashëm me filmin "I teti në bronz", pati një fund tragjik. Gjatë një përplasjeje mes forcave të Sigurimit dhe bandës, Pal Mëlyshi u vra. Duke qenë se operacioni ishte tejet sekret, ai u trajtua si armik. "U varros si bandit, në breg të lumit bashkë me të tjerët," shpjegon Doda. Vetëm 7 vjet më vonë, pasi çështja u sqarua në nivelet më të larta, eshtrat e tij u zhvarrosën dhe ai u shpall 'Hero i Popullit'. Doda kujton edhe një detaj tronditës: "Kur ishte i varrosur si bandit, një mirditor i papërgjegjshëm i ra me shkelm kufomës. Kryetari i Degës së Brendshme, një vlonjat, e kapi përkrahu dhe i tha 'Turp të kesh, theve kanunin e Mirditës që nuk e prek kufomën."/l.f-dritare.net